×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Rama përshëndet linjën ajrore Kosovë-Serbi, thumbon Haradinajn

    Reporteri
    20 Janar 2020 | 19:14

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, por me këtë rast ka “thumbuar” edhe kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj.


    “Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap”, shkroi Rama, duke ia bashkëngjitur edhe figurën “?”.

    Kurse në një postim tjetër në Twitter, duke e cituar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili deklaroi se kjo marrëveshje është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”, Rama tha se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë.

    “Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, përfundoi Rama, sërish duke e përcjellë këtë fjali me figurën “?”.

    Kujtojmë se Kosova e Serbia janë pajtuar t’i nisin procedurat për një linjë direkte fluturimi mes shteteve e kështu të hapet korridori ajror, të cilin Serbia e ka penguar që nga paslufta.

    Megjithëkëtë, kjo është kushtëzuar nga Beogradi me heqjen e taksës, kurse delegacioni i Kosovës ka treguar se linja mund të jetësohet vetëm pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s, e kjo e fundit ka kujtuar se ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!