Afër një milion euro janë investuar për ndërtimin e këtij objekti në Orllan të Podujevës, që ishte i destinuar për vendosjen e fëmijëve jetimë.
Por, edhe pas 14 vjetësh të përfundimit, ai ende është jofunksional, sepse Komuna shpalli njoftim disa herë për ta dhënë në shfrytëzim, por nuk kishte të interesuar, raporton KTV.
Sukses nuk ka pasur as ndërrimi i destinimit në objekt hotelier e shëndetësor-rekreativ, e as ulja e çmimit për metër katror nga ana e komunës.
I vetmi rast kur dikush është paraqitur për ta marrë në shfrytëzim, ka qenë muaji shtator i vitit të kaluar. Por, për shkak se ishte vetëm një ofertues, komunarët e kanë shpallur të dështuar edhe këtë tentim.
Por, opozita në Podujevë hedh kritika në drejtim të udhëheqësve komunalë duke thënë se ishin kundër ndërrimit të destinimit të këtij objekti.
Pavarësisht përpjekjeve të komunës për ta dhënë në shfrytëzim objektin, një qytetar i Orllanit thotë se këtë gjë nuk do ta lejojë, ngase pretendon se prona ku është ndërtuar, është e tij.
Për kontest pronësor, ai thotë se ka paraqitur padi në Gjykatën në Podujevë.
Por, që kjo pronë është në kontest pronësor, e mohojnë në komunë.
Sidoqoftë, komuna javët në vijim ka paralajmëruar se do ta shpallë ofertën sërish për ta dhënë në shfrytëzim këtë objekt, i cili posedon dhoma të shumta, kuzhinë e salla.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.