Kryeministrit i vendit, Albin Kurti, po pretendon se presidenti aktual, Hashim Thaçi ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës gjatë kohës që ishte kryeministër.
Kryeministri Kurti, ka folur për nënshkrimin e një marrëveshje sekrete, të vitit 2013 të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku FSK-së i ndalohet hyrja në Veri.
Sipas Kurtit me këtë, Hashim Thaçi ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, çka paraqet bazë për nisje të procedurave për shkarkimin e tij.
Kur dihen marrëdhëniet e Kurtit me Thaçin nuk duket e rastësishme që ai ka zgjedhur pikërisht këtë ditë për të publikuar fakte, që siç pretendon ai kanë të bëjnë me shkelje të rënda të Kushtetutës nga ana e Thaçit, çka paraqet bazë për shkarkimin e tij, shkruan Reporteri.net.
Pikërisht para 4 viteve, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës. Thaçi në postin e presidentit u zgjodh në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike, pikërisht më 26 shkurt të vitit 2016.
Pikërisht sot është ditëlindja e 84-të të veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, ku për nder të tij është hapur ekspozita me fotografitë dhe pikturat e “Mandelës së Ballkanit” me temë, “Kujtesa e Kosovës” nga shoqata e te burgosurve politike. Në këtë ditë Kurti tha se pa Adem Demaçin rrugëtimi i tij do të ishte i pamundur.
Sot është po ashtu një ditë e rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje, ku ata kujtojnë një prej aktivistëve më të shquar të kësaj partie, Astrit Deharin.
Tanimë i ndjeri, Dehari, ishte lindur më datën 26 shkurt 1990. Ai ishte i arrestuar nën akuzën për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Astriti gjeti vdekjen brenda qelisë së tij më 5 dhjetor 2016 në rrethana ende të paqarta, në burgun e Prizrenit.
Për këtë datë që ndërthuret me dy figura të rëndësishme në jetën e tij, ka folur edhe vetë Kurti. Ai ka thënë se e ka lënë në dorë të deputetëve që të vlerësojnë nëse presidenti Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese. Kurti ka thënë se do të vazhdojë të kërkojë takim me Thaçin për t’u koordinuar për politikën e jashtme.
“Sot jemi në ditëlindjen e Adem Demaçit dhe Astrit Deharit por kjo ditë shënon edhe katër vjetorin e presidencës. Në konferencën e Munihut unë jam përpjekur që ta takoj për t’u koordinuar në politikën e jashtme. Dialogun me Serbinë do ta përgatisim mirë dhe me parime por atë e udhëheqë unë si kryeministër, por politika e jashtme nuk është vetëm Serbia, për çka unë insistoj se duhet të jemi njëzëri me presidentin”, u shpreh Kurti. /Reporteri.net