Policia e Kosovës ka ndaluar 27 persona në 24 orët e fundit në të gjitha komunat e Kosovës, për mosveprim ndaj dispozitave shëndetësore gjatë situatës me koronavirus.
Sipas policisë arsyeja e ndaljes së shumicës prej tyre është mosrespektimi i orarit të lëvizjes së lejuar nga ora 6:00-17:00.
Ata kishin dalë pa ndonjë arsye në intervalin kohor kur ndalohet lëvizja e qytetarëve.
Kryesisht rastet e shënuara janë në komunën e Prishtinës, Pejës, Obiliqit, Podujevës e Mitrovicës, shkruan Reporteri.net.
Vetëm në qytetin e Prishtinës për mosrespektim të ndalesës së lëvizjes gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 14 persona.
Pa ndonjë arsye kishin dalë edhe katër persona në qytetin e Obiliqit, çka bëri që të arrestohen nga ana e policisë.
Tetë persona të tjerë janë arrestuar në qytetin e Podujevës (1), Mitrovicës (1), Vushtrrisë (1), Klinës (1), Pejës (2) dhe Rahovecit (3).
Kujtojmë se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë mbrëmë ka shkuar në 135, gjersa lajmi i mirë është se 16 persona janë shëruar, 6 prej të cilëve sot pritet të lirohen për në shtëpi.
Ndërkohë 43 pacientë të infektuar me koronavirus, janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive, dy prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore. /Reporteri. net