Kjo pritet të jetë një javë e rëndësishme në Kosovë, por dhe që do të tensionojë më shumë jetën politike të vendit. Presidenti Thaçi ka theksuar se gjatë kësaj jave do të ndërmarrë hapa kushtetues për formimin e Qeverisë së re.
Nga ana tjetër kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme e sheh si të vetmen zgjidhje.
Analisti politik, njiherit edhe Drejtori i Gazetes Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi, jep për Euronews Albania një panoramë më të përgjithshme të situatës.
“Ajo që pritet është që presidenti Thaçi të mandatojë një parti tjetër politike pasi kemi parë që ka një marrëveshje koalicioni mes LDK-së, AAK-së dhe NISMA Socialdemokrate. Parti që kanë numra të mjaftueshëm për të ndërtuar një qeveri të re pas asaj që u rrëzua, qeverisë Kurti. Kosova do të ketë një javë dinamike politike. Në dallim nga e gjithë bota e cila ka në fokus vetëm COVID-19, Kosova po përballet me dy probleme: Me situatën urgjente shëndetësore dhe me atë politike. Kemi një kundërshtim nga ana tjetër prej Partisë Vetvendosje, e cila është më e madhja aktualisht në vend, ndërsa koalicioni i partive të tjera kërkon të mos ketë zgjedhje të reja, por një qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e fundit në Kosovë”, tha Kabashi.
Më tej ai shtoi se vendimet e presidentit do të ndeshen me kundërshtitë e partisë që ndodhet ende në pushtet.
“Lëvizja Vetvendosje do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e presidentit për të mandatuar LDK-në, pasi ka kundërshtime rreth hapave kushtetues që pritet të ndërmarrë presidenti. Njëra palë kundërshton duke thënë se presidenti nuk ka të drejtë të mandatojë një parti, e cila ka dalë në këtë rast e dyta në zgjedhjet e fundit. Lëvizja nuk është e gatshme të ndërtojë qeverinë me parti të tjera dhe kërkon që kjo qeveri të jetë në detyrë derisa të kalojë kriza e pandemisë, pastaj të shkojë në zgjedhje. Gjë që nuk është në interesin e partive të tjera politike”, u shpreh ai në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania.