Albulena Haxhiu, e cila në takimin e sotëm të presidentit Thaçi me liderët e vendit përfaqësoi Vetëvendosjen ka thënë se me vendimin e Thaçit që mandatin për formimin e Qeverisë së re t’ia japë cilësdo parti që mund ta krijojë shumicën në Kuvend, po shkelet rëndë rendi kushtetues.
Haxhiu ka akuzuar edhe një herë LDK-në se është bërë bashkë me Thaçin për ta rrëzuar Qeverinë Kurti, shkruan Reporteri.
“Qeveria nuk është rrëzuar se nuk ka ditur ta menaxhojë situatën me covid-19. AJo është rrëzuar për shkak të pazareve të Thaçit me Isa Mustafën. Është për keqardhje se në vend që këta njerëz të bëheshin bashkë me Qeverinë e Kosovës, kanë zgjedhur që të bëhen bashkë kundër VV-së. Tashmë ekziston një tendencë e Thaçit për të ndërmarrë veprime dhe për të përmbysur vullnetin e qytetarëve. Nuk mund të ketë qeveri me legjitimitet qytetar pa shkuar në zgjedhje, Thaçi nuk ka të drejtë ta anashkalojë partinë fituese, kështu ai po e shkatërron rendin kushtetues. Ne kemi thënë se jemi për zgjedhje pas kalimit të situatës me Covid, kjo edhe për faktin se kështu e parasheh Kushtetua. Por këta të cilët e kanë tradhtuar vullnetin e qytetarëve po tentojnë të bëjnë gjithçka për të shkuar në një Qeveri që nuk ka legjitimitet”, u shpreh Haxhiu.
Ajo ndër të tjera tha se në takim ishte për t’ia bërë të qartë Thaçit se veprimet e tij do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë isha në takim për tia treguar në sy Thaçit se veprimet e tilla janë antikushtetuese dhe komplet në shpërputhje me Kushtetutën. VV nuk ka refuzuar që të bëjë diçka në këtë drejtim, ne kemi kërkuar që të ndalë presionet në drejtim të VV. Ai është thjeshtë noter në këtë rast. Çfarëdo tendence për të shkelur Kushtetutën padyshim se do ta dërgojmë në Kushtetuese”, u shpreh ajo.