Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të tentojë të krijojë një Qeveri të re në Kosovë, pas një përpjekje të dështuar të kësaj partie për të bashkë-qeverisur me Albin Kurtin.
Dhe ka zgjedhur ta ketë si mandatar, Avdullah Hotin, ish – zëvendëskryeministër i Kurtit, që u shkarkua natën kur ra edhe Qeveria.
Në vitin 2017 ishte kandidat për Kryeministër, por LDK doli e treta. Kjo është ndoshta mundësia më serioze dhe e fundit ndoshta për t’u bërë Kryeministër.
Për partnerë qeverisës planifikon t’i ketë AAK-ne, Nismen dhe të tjerët. Pandemia, dialogu dhe një kundërshtim të ashpër nga Vetëvendosje janë detyrat e renda që e presin, nëse arrin të votohet.
Por kush në fakt është Avdullah Hoti?
Ai ka lindur në fshatin Ratkoc në Komunën e Rahovecit. Hoti ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998.
Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe.
Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.
Në biografinë e tij shkruan se ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës, raporton Zeri.
Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009.
Ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor.
Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera.
Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.
Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ka qenë Ministër i Financave në Qeverinë Mustafa 2014-2017.