Televizioni shtetëror slloven publikoi dokumente, letërkëmbime dhe biseda telefonike të regjistruara në të cilat, sipas mediave, u dëgjua zëri i Ministrit të Ekonomisë Zdravko Pocivalsek, duke rënë dakord se për cilën kompani dhe si duhet të jepet tenderi për blerjen e pajisjeve mbrojtëse dhe mjekësore që do të shfrytëzohen për pandeminë globale.
Në raportimin e Televizionit të Sllovenisë, i cili paraqiti prova, pretendon se prokurimi i pajisjeve ishte pa tender, pra me marrëveshje të drejtpërdrejtë, dhe Ministri dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt zgjodhën se kush do të fitonte tenderin, përcjell Reporteri.net.
Sipas televizionit, me marrëveshjen e drejtpërdrejtë dhe ndërhyrjen e zyrtarëve nga qeveria e Jansa, u ra dakord që 220 respiratorë të prokurohen nga kompania “Geneplanet”, për të cilën shteti pagoi 100 përqind avans në vlerë prej tetë milion eurosh, që është 3.5 herë më i shtrenjtë se sa çmimi i rregullt i tregut për të njëjtat pajisje mjekësore.
Sipas këtij informacioni, përkundër faktit se pajisjet ishin paguar njëqind për qind, shteti nuk mori as gjysmën e porosisë.
Sipas provave të Televizionit Slloven, maskat mbrojtëse për mjekët sllovenë u blenë nga e njëjta kompani, dhe drejtori i policisë ishte përfshirë direkt në negociatat e marrëveshjes.
Mediat në Slloveni informojnë se në strukturën e pronësisë së kompanisë “Geneplanet” kishte të afërm të bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit Jansa.
Tani pas kësaj, opozita në Slloveni po kërkon dorëheqjen e qeverisë.
“Nuk është vetëm përgjegjësia e një ministri. Është një mënyrë funksionimi dhe përgjegjësie e gjithë qeverisë. Kjo është arsyeja pse unë po i bëj thirrje të gjithë qeverisë të japë dorëheqjen”, tha ish’kryeministri slloven. /Reporteri.net