×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi akuzon Qeverinë se po tenton përmbysjen e rendit kushtetues!

    Reporteri
    01 Maj 2020 | 22:19

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka akuzuar rëndë Qeverinë e Kosovës se po tenton të përmbys rendin kushtetues. Ky reagim i tij vjen pas letrës së kryeministrit, Albin Kurti, në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.


    Letra që e publikoi i pari Reporteri, përmbante akuza të renda për gjyqtarët si joprofesional, se kanë shkelur ligjin dhe janë treguar të paanshëm. Gjykata e konsideroi të papranueshme.

    “Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues!”, ka akuzuar kreu i shtetit.

    Kjo duket të jetë një prej momente më delikate në shtetin e Kosovës, që prej shpalljes së tij.

    Postimi i plotë:

    Edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm. Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.

    Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë.

    Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme!

    Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj.

    Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues! HTH

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!