Arrestohen autorët e 2 vrasjeve në Durrës, të vëllezërve Haxhia në datë 27 Prill dhe të 2 të rinjve po në të njëjtin vend në datë 2 mars të po këtij viti te tregu i makinave. Autorët janë Altin Ndoci 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për trafik droge dhe K. A. 22 vjeç, banues në Durrës.
Sipas policisë së shtetit, këta 2 persona ekzekutuan me armë zjarri vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia dhe Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia. Të dyja ngjarjet kanë lidhje me prishjen e pazareve të drogës. Gjatë operacionit janë sekuestruar 3 armë zjarri që u përdorën për vrasjet, municion luftarak, automjeti tip ‘Toyota’ i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celularë. Armët e zjarrit të përdorura për të kryer krimin ishin fshehur në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga autorët. Sipas policisë së shtetit mekanizimi i përdorur në të dyja vrasjet është i njëjtë.
Por përse u vranë?
Katër personat janë ekzekutuar për shkak të prishjes së pazareve të drogës dhe influencës në territor në Durrës. E kaluara e viktimave dhe autorëve nuk ka qenë e panjohur për policinë, pasi kanë qenë kapur dhe dënuar më parë për drogë. 2 nga 4 viktimat kanë qenë të dënuar për trafik narkotikësh, konkretisht Dorjan Shkoza 35 vjeç, që u vra në 2 mars, ka qenë ish i dënuar me 8 vjet burg për drogë dhe Besmir Haxhia që u vra në 27 prill, ishte dënuar në Greqi dhe Francë po për narkotikë. Gjithashtu edhe njëri nga autorët, pra Altin Ndoci ka qenë i dënuar më parë për drogë.
Por si u zbardh ngjarja?
Makina tip ‘Toyota’ që përdorën në krim çoi policinë te dy autorët. Targat rezultuan se i përkasin një makine tip ‘Skoda’ pjesë e një kompanie të dhënies së mjeteve me qira, por që janë kopjuar duke u prodhuar në mënyrë artizanale nga Ndoci dhe bashkëpunëtori i tij. Pas kontrolleve të kamerave të sigurisë që zbuluan makinën ‘Toyota’ dhe metodave të tjera hetimore policia shkoi te makina, që ishte fshehur në Arapaj. Brenda në makinë, e cila ndryshe nga hera e parë në vrasjen e dytë nuk u dogj u gjetën prova, njolla gjaku dhe gjurmë gishtash. Nga analizimi i këtyre provave rezultoi se gjurmët dhe shenjat e gjakut i përkasin 22-vjeçarit me inicialet K.A. nga Durrësi.
I riu u arrestua dhe përballë hetuesve u thye duke pranuar përfshirjen dhe më pas të bashkëpunojë duke treguar shokun, Altin Ndocin, që u kap pasditen e djeshme në Tiranë. Më pas 22-vjeçari tregoi se ku kishin fshehur armët e zjarrit, tre kallashnikovët që u përdorën në krim. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se Ndoci në momentin e arrestimit ka mohuar gjithçka, por provat janë të gjitha kundër tij.
Aktualisht po hetohet edhe një detaj nëse ndonjë nga autorët e këtij krimi është plagosur duke qëlluar mbi vëllezërit Haxhia pasi në makinën ‘Toyota’ u gjetën njolla gjaku të 22-vjeçarit dhe xhamat e thyera. Një tjetër provë që ndihmoi hetuesit ishin edhe telefonat e dy vëllezërve Haxhiaj dhe 12 celularët sekuestruar të dy autorëve të dyshuar, ku rezulton se disa nga kontaktet e bisedat e tyre ishin me të njohur të përbashkët.
Sipas hetimeve rezulton se një nga autorët doli nga “Toyota” duke qëlluar para mjetit “Golf” të vëllezërve Haxhia, ndërsa një tjetër qëlloi nga brenda makinës pa dalë dhe në më pak se 90 sekonda ata kanë derdhur 56 plumba. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u shpreh në deklaratën për mediat se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera./Shqiptarja.com