Filozofi Afrim Kasolli ka trajtuar sot në një opinion të tij, masat qe shtetet nëpër botë kanë marrë si parandalim ndaj pandemisë, dhe ndikimit që ato mund të kenë në jetën politike dhe shoqërore të njerëzve.
Kasolli, në një opinion të publikuar në Reporteri, thotë se diskursi i frikës, karantinimi, masat emergjente të ndërmarra me akte administrative kanë ngjallë dyshime se “A mos nën pretekstin e kësaj “lufte” po kufizohen edhe liritë dhe drejtat tona politike dhe qytetare që deri më tani i kemi marrë si të garantuara?”.
“Sidomos kur dihet se kapërthimi i botës nga virusi korona ndodhi në një moment kritik për demokracitë liberale. Kohë kjo kur besimi dhe përkushtimi për vlerat e këtij rendi kishte filluar të venitej e zbehej në masë më të madhe, kur lëvizjet populiste me retorikën e tyre inflamatore po i atakonin pa ndërprerë themelet e këtij rendi, duke i ekspozuar ato si pengesë për demokracinë autentike dhe vullnetin popullor.
Me këtë rast janë ngritur shqetësime serioze, sa a mos ky moment shënon një kthesë nga e cila bota do të jetë krejt tjetër nga ajo që ekzistonte deri më tani? Apo siç pohoi këto ditë në një artikull në Foregin Affairs, Richard Hass, a mund të ndodhë që kjo pandemi të bëhet shkaktare e një recesioni edhe më të madh të demokracive liberale, trend ky që edhe ka qenë evident për më shumë se një dekadë?”, shkruan ai.
Kasolli thekson mundesinë që masat rigoroze të vazhdojnë edhe pas pandemisë, dhe për më tepër shton se do të ketë për një kohë masa kontrolli, duke e perdorur edhe teknologjinë, e që sipas tij, do të na e ndryshojnë jetën tonë.
“Bie fjala, një nga masat strikte që është paralajmëruar se do të zbatohet në mënyrë rigoroze edhe në situatën “post-pandemike”, krahas mbajtjes së dorëzave dhe maskave në vendet publike, mbetet edhe ruajtja e përpiktë e distancës fizike ndërmjet njerëzve. Ndërkaq, me qëllim të implementimit sa më efikas të këtyre kritereve shumë kompani kompjuterike digjitale kanë zhvilluar tashmë programet e veçanta, ku njerëzit do të mund të detektoheshin në kohë reale, nëse janë duke iu përmbajtur rregullave të distancimit social. Prandaj, lirisht mund të themi se zhvillimi efikas i këtyre mënyrave të sofistikuara të survejimit, të mbështetura edhe nga avancimet e inteligjencës artificiale, duke limituar dhe kontrolluar deri në minimum çdo kontakt dhe afërsi normale njerëzore, për një kohë që nuk dihet, do të ketë pasoja të paparashikueshme për jetën tonë sociale dhe politike”, shkruan ai.
Lexoni vështrimin e plotë të tij: KETU