×
  • Lajme
  • Lajme

    Komisioni i Venecias për Reporterin: Ndërhyrja jonë do ta minonte autoritetin e Gjykatës Kushtetuese

    Reporteri
    05 Maj 2020 | 19:14

    Komisioni i Venecias ka vlerësuar se një interpretim i tij në kërkesën drejtuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të interpretuar kompetencat e presidentit rreth shpërbërjes së Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, do të ishte cenim i autoritetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.


    Këtë e kanë thënë sot për Gazetën Online Reporteri zyrtarë të Komisionit të Venecias.

    Tatiana Muchelova, nga zyra për marrëdhënie me jashtë në Komisionin e Venecias, ka thënë për Reporterin se kërkesa e Kryeministrit Kurti është çështje interpretimi i Kushtetutës së Kosovës dhe nuk ka të bëjë me zbatimin e standardëve ndërkombëtare.

    “Sot, në përgjigje të kërkesës, pasi zhvilloi një konsultë edhe me Byronë e Komisionit, Kryetari i Komisionit sugjeroi që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është organi i duhur për t’u marrë me këtë çështje, e cila në thelb është çështje e interpretimit të Kushtetutës së Kosovës dhe jo e zbatimit të standardeve ndërkombëtarëve. Nëse Komisioni do të ndërhynte, kishte rrezik që të dëmtonte autoritetin e Gjykatës. Prandaj Komisioni nuk është në gjendje të përmbushë kërkesën e bërë”, ka thënë zonja Mychelova.

    Ajo ka theksuar se kërkesën e kanë pranuar më 1 maj.

    “Më 1 maj 2020, komisioni mori në dorëzim kërkesën për opinion lidhur me kompetencat që ka Presidenti i Kosovës për sa i përket çështjeve të shpërbërjes së Kuvendit dhe formimit Qeverisë. Kjo çështje u dërgua në të njëjtën kohë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga një grup deputetësh dhe Gjykata po merret aktivisht me këtë kërkesë ,dhe tashmë e ka marrë tashmë një masë pezullimi”, u përgjigj ajo.

    Qeveria e Kosovës njoftoi para pak minutave se ka marrë një përgjigje nga Komisioni i Venecias por nuk dha detaje se çfarë i është thënë. Gjithsesi, Qeveria ka thënë se pas përgjigjes, nëse paraqitet nevoja, sërish do t’i drejtohen Komisionit.

    “Sot, Komisioni i Venedikut i është përgjigjur Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me kërkesën për opinion në raport me kompetencat e Presidentit. Kjo kërkesë u dërgua në Komisionin e Venedikut pasi që u publikua Dekreti i Presidentit dhe para vendimit për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka vepruar. Ne e mirëpresim sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Gjykata kushtetuese e Kosovës ka pezulluar deri më 29 Maj dekretin e Presidentit Thaçi për ta nominuar Avdullah Hotin si mandatar për krijimin e Qeverisë. VV po insiston në zgjedhje dhe madje nuk kanë mohuar kategorikisht se nëse LDK merr Qeverinë, të përkrahin protesta. LDK me AAK-në, Nismën dhe të tjerët tashmë kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi. Kanë ndarë edhe ministritë. PDK ndërkaq ka vendosur të mbes në opozitë, duke kërkuar zgjedhje pas pandemisë. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!