Më 13 Mars 2020, në Kosovë u shënuan rastet e [ara pozitive me coronavirus. Tashmë kjo pandemi kishte prekur gjithë botën, për të shkaktuar mbyllje qytetesh e shtetesh. Më 16 Mars, Drejtori Gjeneral i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus pati një këshillë për shtetet: ‘teste, teste, teste”. Vetëm duke testuar sa më shumë, thoshte ai, virusi izolohej. Të këtij mendimi ishin edhe shumica e liderëve në botë. Por, në Kosovë Kryeministri mendonte ndryshe, se testet nuk janë zgjidhje, shkruan Reporteri.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ai i Francës, Emanuel Macron, Kryeministri i Anglisë, Boris Johnson, Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau dhe Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë të gjithë këta kishin folur për rëndësinë e testimeve sa më të mëdha për coronavirus. Vetëm në këtë mënyrë ata mendonin se e identifikonin dhe izolonin virusin, duke shtuar edhe masat tjera. Kjo në fakt ishte edhe këshilla e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Teste, teste, teste”, thoshte më 16 Mars, Drejtori Gjeneral i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shkruan Reporteri.
Por, në Kosovë, Kryeministri, Albin Kurti kishte tjetër bindje, në kundërshtim thuajse me krejt botës. Ai mendonte se testet e shumta nuk janë zgjidhje.
“Unë nuk jam i sigurtë që testet janë zgjidhja t’u them të drejtën. Vetëm parandalimi është zgjidhje”, ka thënë Albin Kurti në një intervistë për RTK më 23 Prill.
Në fakt edhe ekspertët mjekësor mendonin se Kosova duhet të bënte më shumë teste. Madje edhe vetë Ministri i Shëndetësisë, Arbën Vitia theksonte se ka kapacitet për më shumë teste. Derisa Kosova bënte deri në 140 teste në ditë e ndërkohë që kapaciteti ishte për 700 në ditë.
Lul Raka, mikrobiolog, kishte alarmuar para disa ditësh për numrin e vogël të testimeve që po bëhen. Ka thënë se ka kapacitete të mjaftueshme por s’po ka teste pasi po është vështirë të blihen për shkak të kërkesave të mëdha nga të gjitha shtetet e botës.
“Për sa i përket numrit të testeve, duket qartë që ne çalojmë dhe kjo tregon dobësinë që kemi ne vend në sistemin shëndetësor. Në rang rajoni ne jemi të fundit pas Serbisë me 893 teste për milion, ndërkohë që serbët janë në nivelin e 979 testeve për milion. Ndërkohë që Kroacia mban vendin e parë me 2793 teste për milion”, ka thënë Raka, në një intervistë për emisionin Gjesi në T7. Raka ka treguar se kanë staf të mjaftueshëm mjekësorë për të bërë edhe më shumë testime.
“Kosova i ka 45 mikrobiologë sot. Këta 45 mikrobiolog punojnë në Institut dhe nëpër institute rajonale. Në IKPSH nuk janë pesë mikrobiologë. Ka edhe të tjerë që dijnë të punojnë. Mirëpo, nuk ka teste. Teste s’ka për shkak të kërkesës së madhe në krejt botën. Edhe pare kemi por s’mundesh me i ble për shkak se ka kërkesë të madhe”, ka thënë ai.
“600 deri në 700 është kapaciteti që mund të kryejmë. Profesor Ramadani e ka konfirmuar këtë. Ndërkohë kanë marrë edhe ekipe shtesë”, kishte thënë Ministri i Shëndetësisë, në një intervistë për Interaktiv, para dy jave.
Por çfarë kishin thënë liderët tjerë botërore për testimet, e që Kurti e mendonte ndryshe.
Reporteri.net sjelle disa deklarata të tyre, duke iu referuar edhe burimin e transmetimit të këtyre deklaratave.
Kryeministri i Anglisë, Boris Johnoson, që vetë doli pozitiv, për testimet:
“Ne gjithashtu kemi rritur masivisht testimin. Dua të them një fjalë të veçantë për testimin sepse është kaq i rëndësishëm siç e kam thënë me
javë e javë, kjo është rruga e duhur. Kështu do ta zgjidhim enigmën e koronavirusit. Kështu do ta mposhtim në fund”.
1:16 – 1:34
https://www.youtube.com/watch?v=KU2WfTs-6ms
Presidenti i Francës, Emanuel Macron për testimet
“Përdorimi i sa më shumë testeve diagnostikuese dhe identifikimi janë armët më të forta për të dalë nga izolimi”.
10:58-11:07
Ministri gjerman i Shëndetësisë për testimet
“Para së gjithash, testimi është shumë i rëndësishëm, është sikur të ndezësh dritën në errësirë”.
2:08- 2:13
Kryeministri kanadez, Justin Treaudeu për testimet
“Testimi masiv dhe i shpejtë në shkallën më të lartë do të jetë pjesë esenciale e vigjilencës që duhet të kemi”
27:33-27:44
Presidenti Donald Trump për testimet
“Ne jemi shumë përpara me testime, ne jemi më të mirët në botë në testim, kemi testuar më shumë se të gjitha shtetet e tjera bashkë”.
0:35-0:30
Kryeministri Albin Kurti për testimet
“Unë nuk jam i sigurtë që testet janë zgjidhja t’u them të drejtën. Vetëm parandalimi është zgjidhje”, ka thënë Albin Kurti në një intervistë për RTK më 23 Prill.