Është operuar sot në Spitalin e Gjakovës, pacientja 86 vjeçare, me kancer në fytyrë, pas disa javësh refuzimi për ofrim të trajtimit mjekësor në këtë spital. Ofrimi i ndihmës mjekësore ndaj saj u bë vetëm pasi Gazeta Online ‘Reporteri.net’, në fillim të kësaj jave, filloi ta trajtojë këtë rast, pasi për familjen e pacientes vetëm adresimi në media mbeti ‘derë e hapur’ për të kërkuar ndihmë. Ministria e Shëndetësisë pohojnë se nuk janë në dijeni për rastin, përkundër se Reporteri vazhdimisht gjatë javës është interesuar disa herë në Ministri.
Por vetëm ky veprim i djalit të pacientes 86 vjeçare ka lëvizur gjërat. Ajo është operuar të enjten në këtë spital, kanë konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ familja e të moshuarës.
Mjeku Dylazeka e kishte hedhur fajin tek drejtoria e spitalit, për shkak të gjendjes së krijuar nga përhapja e pandemisë Coronavirus, por drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, Hilmi Shala, doli të mos jetë në dijeni për rastin e 86 vjeçares që nuk iu ofrua për javë të tëra ndihma shëndetësore në spitalin që ai drejton.
L.D., po vuan nga kanceri i lëkurës, i shfaqur në fytyrën e saj. Gjendja e saj çdo ditë iu ishte rënduar, dhe fytyra i kishte çelur varrë kulluese, derisa në spitalin Rajonal të Gjakovës për javë të tëra refuzuan t’i japin trajtim. Krejt kjo ndodhi deri kur familja denoncoi rastin në Reporteri.net, dhe me të filluar trajtimi i tij nga ekipi i gazetës, spitali, sipas djalit të pacientes, i informuan që këtë javë do ta operojnë të moshuarën. Gjë që ndodhi sot.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik se pas raportimit në portalin “Reporteri.net”, lidhur me artikullin “Spitali i Gjakovës refuzon ta trajtojë të moshuarën me kancer të fytyrës, ankesat e familjes i konsiderojnë shantazh”, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, menjëherë ka lëshuar urdhër për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore në lidhje me këtë rast”, ka njoftuar të martën Zyra për Informim e Prokurorisë së Shtetit.
Por, përkundër këtyre zhvillimeve, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ende nuk kanë dëgjuar për rastin në fjalë.
Reporteri.net të mërkurën ka kontaktuar me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotin.
Ai ka shpjeguar vetëm procedurat që parashihen të ndërmerren nga Ministria, në të tilla raste, duke referuar që të kontaktohet Inspektorati Shëndetësor, që funksionon në kuadër të kësaj ministrie.
“Çdo rast i denoncuar në MSh inspektohet dhe shqyrtohet nga Inspektorati Shëndetësor i cili interviston palët dhe mbledh faktet bazuar në të cilat bën raportin dhe ndërmerr masa”, tha ai.
Por, një ditë pas, Kryeinspektorja Nora Krasniqi pohon se nuk janë në dijeni për këtë rast.
“Nuk jam dijeni për këtë rast”, tha Krasniqi të enjten për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
“Ekziston një qarkore informative që te gjitha rastet që kanë mundësi të presin mos të operohen. Janë ekspertet e fushës që vendosin nëse rasti është urgjent apo jo. Terë stafin e kam në teren duke monitoru institucionet private e publike që janë të licencuara për shërbime spitalore. Pra unë nuk kam marre ndonjë informatë për këtë rast. Besoj se nesër do të dërgoj një ekip dhe do të interesohem”, thotë ajo, derisa flet për një rast që edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim.
Nga ana tjetër, drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës Hilmi Shala, të enjten, nuk është përgjigjur në interesimin e Reporteri.net nëse, në bazë të kompetencave, të tij ka trajtuar rastin në fjalë apo proceduar ndonjë masë ndaj mjekut që ka refuzuar për disa jave rresht trajtimin e një pacienteje në gjendje të rëndë. /Reporteri.net/.