Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me lëndën që është duke u shqyrtuar për dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se disa deputetë të kësaj partie kanë dorëzuar edhe komente individuale për rastin.
“Dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese komentet në emër të LDK-së, disa deputetë tanë kanë dërguar komente individuale për rastin e dekretit të presidentit. Besojmë se do të kemi gjykim të drejtë dhe fer. Besojmë se do të jetë në favorin e drejtësisë kushtetuese në aspektin e promovimit dhe zhvillimit të demokracisë”, u shpreh ai.
Gashi po ashtu ka thënë se me partnerët me të cilët pritet të Qeverisin janë në fazën finale të planit qeverisës dhe pakos ekonomike, e cila siç ka thënë ai do të aprovohet në ditët e para të Qeverisë.
“Jemi në fazën finale të planit qeverisës dhe pakos ekonomike që pritet të aprovohet në ditët e para të Qeverisë së re. Hoti është i gatshëm të marrë përsipër trajtimin e këtyre problemeve”, u shpreh ai. /Reporteri.net