×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani në Ditën e Evropës: Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh është në kundërshtim me vlerat e BE-së

    Reporteri
    09 Maj 2020 | 15:25

    Në Ditën e Evropës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka thënë se mbajtja e popullit më pro-evropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me vlerat e BE-së.


    Osmani thotë se çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera.

    Shton se Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    Postimi i saj i plotë:

    Urime Dita e Evropës nga populli më i izoluar në Evropë

    Sot në ditën e Evropës rikthejmë në kujtesë edhe një herë se sa e rëndësishme dhe produktive është paqja mes popujve e shteteve dhe orientimi drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian. Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më pro-evropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera. Shpresojmë që sot, 70 vite pas, e përherë në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura, sikurse ajo e Robert Schuman dhe të punohet për paqe, stabilitet e solidaritet e të bashkohemi kundër atyre që promovojnë urrejtje, ndarje e diskriminim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!