Taksistët në Tiranë janë duke u zbuar nga vendet e tyre të qëndrimit për të ndërtuar korsitë e biçikletave.
Ata nuk kanë janë vënë në dijeni nga ky institucion dhe thonë se rrezikohen të mbesin pa punë. Vendqëndrimi i taksive këtë të hënë është zënë nga kangjellat metalike, ndërsa bashkia e Tiranës nuk shqetësohet për fatin e tyre.
Bashkia e Tiranës ka zënë në mënyrë arbitrare vendet e qëndrimit të taksive për korsi biçikletash. Këtë të hënë taksistët dolën në punë si zakonisht, por u përballën me rrethimin e kangjellave metalike. Ata shprehen se nuk janë lajmëruar nga bashkia për këtë vendim.
”Ne pa na lajmëruar për asgjë, vijmë në punë në mëngjes si gjithmonë, vetëm kur shofim kangjellat e vendosura në mënyrë që ne mos të futemi në korsinë për të punuar me taksi. Kanë ardhur pa lajmërim, ik nga këtu se ku do shkojmë nuk e dimë. I bëjmë thirrje organeve kompetente që të na ndihmojmë.”
Sipas tyre, në këto kushte do mbeten pa punë, edhe pse janë taksapagues të rregullt.
”Ne jemi si puna e atyre që marrim një leje bashkie dhe vendin mund ta gjesh ku të duash se nuk të thotë njeri shko këtu ose shko atje. Ne nuk e dimë se çfarë do bëjmë, troç muhabeti, neve na ka nxjerrë në rrugë të madhe. Të paktën ka 10 vjet që punoj unë këtu, i bëjmë thirrje kryeministrit, kryetarit të bashkisë, të vijë të na thotë ku do shkojmë, po na hedhin në rrugë.”
E njëjta situatë është edhe në rrugën “Myslym Shyri” ku këtë herë të prekur janë bizneset që në këtë kohë vuajnë mungesën e blerësve, ndërsa Bashkia e Tiranës ua rëndon edhe më shumë këtë situatë duke bërë korsi për biçikletat.