Një aktivist i Vetëvendosjes, Arbër Vokrri ka lënë të nënkuptojë se në Vetëvendosje nuk do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse ai nuk do të jetë në favor të tyre, karshi krijimit të një qeverie të re, pas rrëzimit të asaj të Kurtit, shkruan Reporteri.
Në një paraqitje në Klan Kosova, aktivisti i VV-së, Arbër Vokrri ka thënë se protesta sot ishte provë se munden që edhe në kohë pandemie të shprehin pakënaqësinë në rrugë.
“Kjo ka qenë veç parapërgatitje për me deshmu se mundet me u manifestu publikisht pakënaqësia popullore me situatën aktuale politike në vend edhe me ndonjë vendim nga Gjykata Kushtetuese që mund të mos e respektojë, në fakt vetë Kushtetutën. Aty dëshmuan që mundemi edhe në këto rrethana, edhe në kohë të pandemisë që të mblidhemi në hapësirë publike duke mbajtë distancën edhe me masa tjera mbrojtëse”, ka thënë ai.
Kur është pyetur se a është ky një paralajmërim i hapur për Gjykatën Kushtetuese, ai është munduar ta relativizojë, por sërish ka folur sikur vendimi është i drejtë vetëm kur është në favor të tyre.
“Unë nuk kisha thanë që është aq vrazhdë paralajmërim për Gjykatën Kushtetuese. Ne shpresojmë që Gjykata Kushtetuese nuk do t’i nënshtrohet presionit politik që vie nga Presidenti dhe partitë tjera që po duket se po ja bëjnë avokatin dekretit të Presidentit”, ka deklaruar Vokrri.