Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë faktori kryesor për prishjen e koalicionit VV – LDK.
“Kemi hyrë në koalicion me VV të bindur që do të ofrojmë një qeverisje ndryshe dhe kemi besuar se ky koalicion i ri, do të qeverisë mirë vendin dhe do bëjë ndryshime pozitive. S’kemi pritur që Vetëvendosje të ndryshojë qasjen edhe në raportin me SHBA-të. Ky është elementi kryesor pse ka rënë Qeveria Kurti”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.
Manaj ka theksuar se SHBA-të kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të jetë e përgjegjshme dhe t’i hap rrugë dialogut me Serbinë.
“Në këtë pikë Kurti, ka qenë i ngurtë dhe përkundër asaj që iu ka premtuar miqve të Kosovës dhe SHBA-së se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë në bashkëpunim dhe në koordinim me ta, ai s’e ka bërë një gjë të tillë”.
“Kjo nuk nuk është e tolerueshme për LDK-në dhe s’duhet të jetë as për Kosovën. Raportet me SHBA-të janë ekzistenciale për ne dhe VV e ka rrezikuar seriozisht raportin me ta”.
Sipas tij, kjo qasje e Vetëvendosjes ndaj SHBA-së, është e dëmshme për Kosovën.
“Asnjëherë SHBA-të, nuk na kanë imponuar zgjidhje që kanë qenë në kundërshtim me vullnetit e popullit të Kosovës. VV ka paragjykim dhe mosbesim ndaj tyre, ndërsa LDK beson fuqishëm për mbështetjen e tyre ndaj Kosovës”.
“Provokimin për ta rrëzuar Qeverinë në kohë të pandemisë e ka bërë vet Kurti. Kjo pasi pa asnjë konsultim ai e shkarkoi mininstrin e punëve të Brendshme, Veliun në kohë pandemie”.
“Në periudhën emergjente janë dy fronte që duhet menaxhuar situatën; MSH dhe MBP. Kurti pa asnjë arsye dhe konsultim me partnerin qeverisës, e theu një nga shtyllat kryesore, vetëm pse ai e kishte dhënë një deklaratë”, ka deklaruar Manaj.