Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë është pyetur nga gazetarët për shkarkimin e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, që është zyrtari që nënshkroi marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Berlin ndërmjetësuar nga ambasadori Richard Grenell.
Kurti ka thënë se ka një vendim 14 faqësh që arsyeton shkarkimin e tij, shkruan Reporteri.
“Ka një vendim 14 faqësh që arsyeton këtë shkarkim. Ai vendim duhet të lexohet. Askund në atë vendim nuk përmendet justifikimi i tij, nuk ka të bëjë me ato që ai thotë”, është shprehur Kurti.
Ai ndër të tjera ka thënë ankesat e zyrtarëve siç i ka quajtur të korruptuar duhet të ndalen.
Sipas Kurtit, janë pikërisht ata që po mundohen ti dëmtojnë raportet e Kosovës me Amerikën.
“SHBA-të nuk i mbrojnë më të korruptuarit. Ata nuk i kanë thënë askujt vjedhje popullin tënd. Për shkarkime nuk kam asnjë kritikë nga SHBA-të. E vetmja kritikë vjen prej të shkarkuarve. Pikërisht këta zyrtarë të korruptuar që po piskasin Amelika, Amelika janë ata që po përpiqen të na i dëmtojnë raportet me SHBA-të”, u shpreh Kurti. /Raporteri.net