Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje për të prezantuar punën 100 ditore, e cila është shquar me vendime për shkarkime. Janë 12 vendimet për shkarkime bordesh.
Ministrja Rozeta Hajdari ka dhënë detaje nga puna e saj në këto 100 ditë, me theks të vecantë në këto vendime për shkarkime të cilat, sipas saj, kanë bërë që të ulen borxhet dhe shpenzimet, shkruan Reporteri.net.
“Qeveria ka marrë 12 vendime për shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike. Bordet e përkohshme kanë punuar intenzivisht për të shpëtuar ndërmarrjet, ku kanë zvogëluar borxhet dhe shpenzimet”, ka thënë ministrja Hajdari.
Ndërkohë, ministrja foli edhe për urdhëresat që janë lëshuar si masa ndaj pandemisë COVID-19, që lidhen me cmimet por edhe veprimtaritë e bizneseve.
“Kemi punuar ngushtë me bizneset dhe përfaqësuesit e komunitetit biznesit. Me qëllim të ruajtjes së ekonomisë dhe zbatimit të masave të qeverisë, i kemi lëshuar 8 urdhëresa: Për menaxhimin e çmimeve, për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike, për sigurinë e shërbimeve dhe komunikimeve elektronike e postare, sigurimin e furnizimit me naftë si dhe mbrojtjen e burimeve të ujit”, tha Hajdari në takimin e ministrave të qeverisë Kurti.
E pas shkarkimeve, ministrja Hajdari ka nënshkruar edhe emërimin e bordeve të përkohshme për këto ndërmarrje. Mirëpo, pas atyre pati kritika, pasi në listat e të emëruarve pati edhe anëtarë të partisë që qeveris me vendin, duke përfshirë edhe kandidat për deputet.
Vendimet për shkarkim kanë prekur ndërmarrje të mëdha, sic janë Telekomi i Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Trepca, Infrakos dhe ndërmarrje që janë agjenci të pavarura nën ombrellën e institucioneve qendrore./Reporteri.net