×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti thotë se po konsultohen ‘gratis’ rreth menaxhimit të pandemisë me ekspertë të Harvardit

    Reporteri
    14 Maj 2020 | 20:57

    Një fizikant amerikan, Yaneer Bar-Yam është bërë i famshëm paksa në Kosovë. Nja dy-tri postime në Twitter dhe një kolumne për Kosovën, kanë bërë që atë ta shpërndajnë përkrahës të Qeverisë nëpër Kosovë e diasporë, shkruan Reporteri.


    Yaneer Bar-Yam është mjaft aktiv në Twitter për situatën me coronavirusin në mbarë botën, e veçanërisht edhe në Amerikë e shtete perëndimore. Në disa raste është marrë me Kosovën, dhe madje e ka lavdëruar dhe ka konfirmuar se bashkëpunon me Qeverinë e saj.

    “Falë veprimeve të shpejta dhe vendimtare duke i ndjekur këshillat e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe tonëve, shkalla e vdekjes nga Covid-19 në Kosovë është 20 herë më e ulët se e Suedisë. Përkundër mungesës së resurseve dhe një sistemi të dobët të shëndetësisë, një nga shtetet më të varfëra të Europës është bërë një storie suksesi”, ka thënë ai në Twitter.

    “Edhe përpara rastit të parë zyrtar, Kosova mbylli shkollat dhe universitetet, vendosi kufizime në udhëtime dhe ndaloi ngjarje publike. Dhe menjëherë pas rastit të parë zyrtar, ajo ishte e përgatitur me një varg tjetër masash, të cilat përfshinë mbylljen e kafeve, bareve, pubeve, restoranteve dhe qendrave tregtare. Më së fundmi, Kosova ka dhënë një urdhër për të qëndruar në shtëpi përveç për nevoja esenciale dhe për operatorë të caktuar ekonomikë. Ky urdhër vazhdon të jetë në fuqi, ndonëse në një formë të moderuar, edhe deri më sot. Duke marrë këto masa me shpejtësi, Kosova ka shpëtuar mijëra, në mos dhjetëra mijëra, jetë të qytetarëve të vet. Për shkak të rënies së rasteve aktive gjatë dy javëve të fundit, ajo është ne pozitë për të shqyrtuar hapa të mëtejshëm gradualë drejt rikthimit në normalitet shoqëror dhe ekonomik. Në këtë kuptim, Kosova është bërë një rrëfim suksesi për menaxhimin inteligjent të krizës së COVID-19”, ka shkruar në një kolumne për Kosovën, shkruan Reporteri.

    Ky fizikant nuk e ka përmendur në çfarë kapaciteti ndihmon Qeverinë me këshilla, nga vullneti për të ndihmuar apo është ia angazhuar nga Qeveria e Kosovës? Të njëjtën asnjëherë nuk e ka dhënë si njoftim as Qeveria e Kosovës.

    Se Qeveria po konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, por pa pagesë, e ka konfirmuar sot edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot.

    “Ne jemi si qeveri në detyrë në konsultime ditore me ekspertë të Harvardit dhe MIT-së të cilët po e ndjekin në kohë reale menaxhimin e pandemisë Covid 19 këtu në Kosovë dhe kemi mbështetjen e tyre falas”, tha Kurti gjatë një vizite në Qendrën Klinike Universitare.

    Kurti disa herë është mburrë se Qeveria e tij ka menaxhuar gati më se miri edhe në Evropë pandeminë, e lërë më në rajon.
    Kosova ka 945 raste pozitive me coronavirus, 690 të shëruar dhe 29 të vdekur./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!