Pas shpërthimit të skandalit të vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit, partitë politike filluan që të ia hedhin fajin njëra-tjetrës së kujt i përkasin të dyshuarit për këtë rast, shkruan Reporteri.net.
PDK e LDK kanë qenë më të zhurmshme mbrëmjen e së mërkurës duke e fajësuar njëra-tjetrën për përkatësinë partiake të të dyashuarve për vjedhjen e dy milion eurove të shtetit.
Një ditë pasi plasi skandali, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka folur se si u zbulua ky skandal. Madje Abrashi ka thënë se diskutimi se kujt i përkasin të dyshuarit është primitiv.
“I kam parë dhe më kanë pengu. Kjo nuk ndihmon në qet precesionin që po krijohet. Është goxha primitive me dalë me thënë është i atij e i këtij. Unë e thashë më herët ka njerëz të mirë e të këqij , hajna, e të ndershëm në të gjitha partitë. Na në këtë rast e kemi dhënë sinjalin se jemi për ta zbuluar. Një është arrestuar, janë ngrirë fondet në disa banka”, tha Abrashi.
Si për ironi, deputeti i PDK’së i akuzuar për korrupsion, Kujtim Gashi, mbrëmë, në një debat televiziv, sulmoi median duke e quajtur lajm të rremë raportimin e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ se i arrestuari për ‘avullimin’ e 2 milionë Eurove nga Thesari i Shtetit, Labinot Gruda, është anëtar i partisë së tij. Gashi insistonte ta mohonte bashkëpartiakun e tij, sikurse edhe PDK-ja përmes një komunikate të lëshuar pak pas raportimit, por faktet e publikuara po e tregojnë të kundërtën.
Ish-Ministri i PDK’së për Kulturë, Kujtim Gashi, i akuzuar për korrupsion qysh në dhjetor të vitit 2019, për kohën as ishte Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren, mohoi një natë më parë bashkëpartiakun e tij të arrestuar për vjedhjen 2 milionëshe që ka ndodhur në Ministrinë e Financave.
Ai tha se Labinot Gruda, i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, për skandalin e vjedhjes së Thesarit të Shtetit nuk ka asnjë lidhje me partinë e tij.
Shkoi aq larg sa raportimin e Gazetës Online ‘Reporteri.net’ për lidhjen e Grudës me PDK’në e quajti “lajm të rremë”.
“Është mundësi e mirë që ta sqaroj një lajm të rremë që ka ndodhë sot në disa portale. Ta demantojmë një të pavërtetë, sepse zotriu që është arrestuar nga Policia e Kosovës as s’ka qenë e as s’është pjesë e strukturave të PDK’së”, tha Gashi në Debat Plus.
“Ai nuk ka qenë pjesë e PDK’së asnjëherë në jetën e tij”, tha ish-Ministri i PDK’së, sot deputet i kësaj partie.
Labinot Gruda është zyrtari i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës si i dyshuar për ‘avullimin” e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, shkruan Reporteri.net.
Por ai në nëntor të vitit 2018 ishte larguar nga kjo detyrë nga kryetari i Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ai ishte liruar nga detyra për arsye te tij personale.
Arrestimin e Grudes e ka konfirmuar sot edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Ajo tha se një zyrtar i Ministrisë së Financave është arrestuar dhe një tjetër është suspenduar pas zhdukjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Lidhur me këtë rast ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka dhënë detaje në një konferencë për media. Rasti, sipas ministres Bajrami, ka ndodhur më datën 9 tetor. Ajo tha se paratë janë bartur nga Ministria e Infrastrukturës.
“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta që kanë ndodhur nga llogaria e thesarit edhe rreth 2 milionë euro kanë shku në llogari të një operatori ekonomik. Krimet ekonomike janë duke u marrë me të. Deri më tani janë suspenduar dy zyrtarë njëri prej tyre është arrestuar”, tha ministrja Bajrami.
Ajo ka shtuar se me rastin po merren të gjitha institucionet përkatëse dhe se është njoftuar edhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës.
“Ne i kemi gjurmuar ky është një transaksion bankar dhe institucionet e vendit janë duke u marrë se kush janë përfituesit. Është rast i izoluar me të cilin po merret MF. Institucionet po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’u kthehen buxhetit të Kosovës”, ka potencuar Bajrami.
Sipas ministres, ky është një rast i izoluar dhe se buxheti i Kosovës është i sigurt.
“Ky është nja rast i izoluar. Buxheti i Kosovës është i sigurt. Janë vet institucionet që e kanë gjurmuar rastin. Dua të ju garantoj të gjithëve se gjithçka po e gjurmojmë”, tha Bajrami.
Ministrja ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për tërheqje të parave të gatshme, por transaksion bankar.
“Nuk është tërheqje e mjeteve kesh. Mjetet e buxhetit të Kosovës janë në Bankën Qendrore dhe ato janë të sigurta, unë nuk mund të jap detaje të tjera sepse rasti është nën hetime dhe mund ta dëmtojmë rastin. Të gjitha organet e rendit po merren me këtë rast”, shtoi ajo.
Ndryshe, edhe Policia njoftoi tek sot për rastin, duke thënë se po merren intensivisht me hetime. Ata thanë se një person është vënë në pranga, ndërkaq dy tjerë janë në arrati.
“Prishtinë 09.10.2020. Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro”, thotë policia në raport.
Pas kësaj NISMA u distancua nga anëtari i saj dhe e liruan nga detyra këshilltaren e zëvendëskryeministres. Edhe Limaj në një paraqitje televizive sulmoi mediat se pse e lidhën rastin e të dyshuarit për marrjen e 2 milionëve me të bijën që punonte në Qeveri. /Reporteri.net/.