Labinot Gruda, që prej një jave ndodhet në paraburgim për vjedhjen e mbi 2 milionë Eurove nga Thesari i Shtetit, ishte punësuar si zyrtar në Ministri të Financave në prill të vitit 2010.
Gruda, gjatë kohës sa ishte drejtor për Buxhet e Financa në Komunën e Drenasit, në vitin 2018, në deklarimin e tij të pasurisë kishte njoftuar se ka në pronësi 100% të aksioneve në dy kompani private “Gruda Group sh.p.k.” dhe “n.sh. Accounting & Consulting”, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’. Në të paren ai kishte deklaruar si kapital vetëm 1000 Euro, ndërsa në të dytën zero (0).
Por, ai gjithashtu 30% kishte pohuar të jetë hisedar në një tjetër biznes, “Professional Group sh.p.k.”, që po ashtu kapital ka të deklaruar vetëm 1000 Euro.
Në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Labinot Gruda, në vitin 2018, pohonte se jeton me qira, dhe nga shteti pagë në Ministri të Financave përfitonte 5659 Euro Neto, në vit. E ndarë në muaj kjo shumë, rezulton të jetë 471 Euro e 58 cent pagë mujore, raporton Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Derisa, sipas tij, 4891 Euro në vit përfiton bashkëshortja e tij e punësuar në Ministri të Arsimit.
Këtë e ka konfirmuar të martën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ zyra për informim e kësaj Ministrie. Sipas tyre “Labinot Gruda ka filluar punën në Ministrin e Financave – Thesar, më 12.04.2010”.
Pozita e tij e parë “Zyrtar i tavolinës ndihmëse në Thesarin e Kosovës”.
Pa i mbushur ende as 3 vite stazh pune në këtë institucionin, Gruda në fillim të vitit 2013 u avancua në pozitën e Menaxherit të Tavolinës Ndihmese në Thesar të Kosovës, përmes një procesi që nisi në fund të vitit 2012.
“Me 17.12.2012 është shpallë konkurs i brendshëm, sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi, dhe nga data 30.01.2013 është zgjedhur në pozitën: Menaxher i tavolinës ndihmëse”, e ka njoftuar Gazetën Online ‘Reporteri.net’, të Muharrem Shahinit, Drejtorit të Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave.
E ketë pozitë të avancuar, Labinot Gruda e kishte pasur edhe në momentin e arrestimit, disa ditë pasi ndodhi vjedhja e 9 tetorit 2020.
Ani pse, siç ka raportuar Gazeta Online ‘Reporteri.net, po del se Gruda është punësuar dhe avancuar gjatë qeverisjeve të PDK’së, partia që aktualisht drejtohet nga Kadri Veseli, e ka mohuar se i njëjti është anëtar i saj. Kjo ka ndodhur në ditën kur ai është arrestuar, javën e shkuar.
Për t’ia mundësuar ky angazhim, që nuk i zgjati shumë, pasi siç u tha u largua për arsyeje personale, Gruda e kishte ngrirë pozitën në Ministri të Financave.
Kjo sipas Muharrem Shahinit të kësaj Ministrie ishte bërë “Bazuar ne ligjin për shërbimin civil (Nr. 03/L-149)” që i përcakton shërbyesve civil të drejtën e pezullimit të dakorduar të marrëdhënies së punës në shërbimin civil në raste emërimeve në funksione publike.
“Kjo është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, me 21 shkurt 2018”, tha Shahini të martën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
Tutje, ai shtoi se “gjatë kohës sa ka pasur emërimin në Komunën Drenas, pozita e tij ka qenë e pezulluar dhe s’ka pasur asnjë të drejtë as qasje në Thesar, siç e përcakton legjislacioni”.
E më tu liruar, nga detyra e drejtorit të Buxhetit dhe Financave në Komunën që udhëhiqet nga Lladrovci i PDK’së, në fund të vitit 2018, sipas Ministrisë së Financave, ligji ia ka njohur Labinot Grudës të drejtën e kthimit në pozitën e mëparshme. /Reporteri.net/.