×
  • Lajme
  • Lajme

    Ngritet aktakuzë ndaj personit që tentoi t’i vë flakën veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

    Reporteri
    29 Tetor 2020 | 15:05

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj personit që tentoi t’i vë flakën veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi.


    Prokuroria Themelore e Mitrovicës thotë se i pandehuri, më 13 qershor 2020, i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi zë”, me dashje ka tentuar ti vë flakën veturës së të dëmtuarit Kajtazi.

    Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

    Kujtojmë se me 18 tetor vetura e gazetarit Kajtazi u sulmua me 5-6 plumba, por fatmirësisht nuk kishte persona të lënduar.

    Njoftimi i Prokurorisë:

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit E.J., në drejtim të veprës penale “Zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton opinionin se i pandehuri, më 13 qershor 2020, i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi zë”, me dashje ka tentuar ti vë flakën veturës së të dëmtuarit Sh.K.

    I pandehuri E.J., duke e ditur vendndodhjen e veturës së të dëmtuarit, fillimisht e mbush një shishe të plastikës me benzinë, e stërpikë veturën në pjesën e motorit dhe në gomën e parë të veturës, dhe me një letër të ndezur tenton ti vë flakën veturës, por me të dëgjuar alarmin e veturave të policisë ikë nga vendi i ngjarjes, duke mos arritur kështu ta realizojë qëllimin e tij.

    Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!