Dhomat e Specializuara kanë publikuar datën se kur do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes ndaj ish-kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Konferenca do mbahet më datë 18 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, shkruan Reporteri.net.
Paraqitjen e parë para Gjyqtarit të Procedurës Paraprakë në Hagë, Thaçi e pati të hënën e 9 nëntorit, ku edhe u deklarua i pafajshëm duke i hedhur poshtë të gjitha akuzat e Speciales.
Ai tha që ato akuza janë të paqëndrueshme.
Ish-presidenti u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. /Reporteri.net