Kryeministri Edi Rama vijon t’u qëndrojë akuzave të tij se presidentit Meta po bëhet pengesë për projektet infrastrukturore në Vlorë.
Në një reagim në twitter, pas deklaratës së zëdhënësit të Metës, Rama shkruan.
“Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh! Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!”
Deklaratës së Ramës i parapriu një deklaratë e zëdhënësit të Presidentit Tedi Blushi, i cili sqaroi akuzat e kryeministrit Edi Rama për moslejimin e projektit të rehabilitimit të rrugës Vlorë-Orikum.
Blushi ka shkruar se presidenti ka kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.
“Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces. Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës”.
Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës që kreu sot në Vlorë akuzoi presidentin Ilir Meta se bllokoi një pjesë të investimeve të projektit të ri të infrastrukturës turistike.