E propozuara për Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, iu është kundërpërgjigjur në Kuvend, Listës Srpska, që u shprehen të pakënaqur me një ministri në Qeverinë Kurti 2 dhe që paralajmëruan ta çojnë në Kushtetuese.
Rexhepi, tha se Kushtetuta e Kosovës parasheh që pakicës serbe në Kosovë t’i takojë një Ministri dhe një tjetër pakicave tjera.
Ajo po ashtu potencoi se edhe në rastet kur janë më shumë se 12 ministri, një dikaster qeveritar e marrin pakicat, por nuk specifikohet se cilin.
Dhe, siç edhe theksoi Rexhepi, mandatari për Kryeministër ka propozuar tre ministra nga pakicat minoritare në Kosovë.
“Në bazë të kushtetutës një ministër i takon përfaqësuesve të qytetarëve serb, dhe një ministri tjetër pakicave jo serbe”, tha Emilja Rexhepi në Kuvend, shkruan Reporteri.net.
“Nëse janë më shumë se 12 ministri, edhe një ministri u jepet pakicave por nuk specifikohet së cilës pakicë”, shtoi ajo.
Ndryshe, pasi Kurti prezantoi në Kuvend kabinetin e ri qeverisës, Lista Serbe, së cilës mandatari për kryeministër ia ka rezervuar vetëm një ministri në kabinetin e tij, e ka kundërshtuar këtë, duke pretenduar se në bazë të numrit të deputetëve i takojnë dy ministri.
Kurti nga 15 ministrat që i ka prezantuar për kabinetin e tij, që pritet të votohet pas pak në Kuvend të Kosovës, 3 i ka prezantuar nga minoritetet pakica në Kosovë, shkruan Reporteri.net.
Elbert Krasniqi – Ministër i Administrimit Lokal; Goran Rakiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim; dhe, Fikrim Damka – Ministër i Zhvillimit Rajonal, janë prezantuar nga kreu i VV’së për Ministra. Derisa, Emilja Rexhepin, po ashtu përfaqësuese e pakicave jo serbe të Kosovës, është propozuar nga Kurti për Zëvendëskryeministre të tretë në Qeverinë Kurti 2. /Reporteri.net/.