×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘Autonomi për Veriun e krijimi i Asociacionit’, ish-ambasadorët e Kosovës komentojnë dokumentin ‘gjermano-francez’

    Reporteri
    27 Prill 2021 | 17:40

    Autor: Mirlind Behluli


    Një dokument i publikuar nga mediet e Kosovës, i cili pretendohej të ishte përgatitur nga Gjermania e Franca si një “nismë e përbashkët” për rifilimin e fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi, ka ngjallur reagime të shumta. Shteti gjerman e ai francez, dy vendet që supozohej të ishin shkruesit e “non-paper”-it, e kanë mohuar autorësinë e dokumentit duke e cilësuar si “fake news”.


    Në ‘dokumentin’, të cilin e ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”, theksohet se veriu i vendit i banuar kryesisht me serbë të Kosovës, duhet të jetë një Rajon Autonom dhe flet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në kundërshtim të këtyre ideve ka reaguar edhe Qeveria Kurti, nëpërmjet zëdhënësit Përparim Kryeziu, duke theksuar se nuk kanë çfarë t’i shtojnë përtej deklarimeve të ambasadës gjermane dhe franceze.

    ‘Dokumentin’ ku parashihet guvernator për distriktin autonom në Kosovë, e ka komentuar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duke thënë se u shqetësua kur lexoi se aty parashihej njohja e Kosovës së pavarur.

    Valës së reagimeve i është bashkuar edhe Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, e cila idetë e ndryshimit të kufijve në Ballkan i ka cilësuar si nxitje të destabilitetit.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, dyshon se ky jo-dokument ka autorësi të njëjtë me “non-paperin slloven” që për qëllim kanë provimin e opinionit publik e shmangien nga realitet ekzistuese, shkruan Reporteri.net.

    “Të gjithë këta jo-dokumente lidhur me ndryshime kufijsh etj. dalin nga kuzhina të ngjashme me dy qëllime: si balona provues për opinionin dhe për shmangie të realiteteve ekzistuese. Sidomos për Kosovën. Përgënjeshtrimet nga qendra vendimmarrëse dëshmojnë këtë”, tha Spahiu për Reporteri.net.

    Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni e Seli të Shenjtë, Anton Berisha, tha për Reporteri.net se non-paperi është produkt i një “logjike të mbrapshtë” të qeverisë kosovare, e cila nuk shfrytëzoi pozicionin amerikan për marrëveshje finale me epiqendër njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

    “Kosova, në vend që të shfrytëzoj letrat e ish -Presidentit Trump dhe Presidentit Biden, që vunë theksin te njohja e ndërsjelltë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si bosht i marrëveshjes, të formoj platformën për dialog, qeveria me pasivitetin e saj ka krijuar hapësirë për akterët e tjerë të dalin me propozime, që përmes kanaleve konfidenciale e besa edhe publike krijojnë parapozicione me të cilat duhet të përballemi. Kjo logjikë e mbrapshtë që më shumë se një dekadë, kur politika e jashtme ka qëllimin e politikës së brendshme elektorale, në vazhdimësi ka dobësuar pozicionin tonë në raport me faktoret ndërkombëtar determinues duke përfshirë edhe partnerët tonë. Sigurisht që non-paper i publikuar është produkt i atyre që kanë rezerva ndaj shtetit tonë dhe ndaj sjelljeve tona”, tha Berisha për Reporteri.net.

    Tutje Berisha thotë se Kosova duhet të marrë mësim nga përmbajtja e non-paperit.

    “Nëse shikohet non-paper ne duhet të marrim mësim nga përmbajtja e saj, që të drejtat eksluzive për komunitetin serb janë rezultat i mosbesimit në potencialin dhe vullnetin demokratik. Kërkesa për ekskluzivitet të kishës ortodokse, është tregues se fetarizimi i njëres palë, siç po ndodhë me përshtatjen e institucioneve shtetërore në raport me fenë, forcon kërkesën e bashkësisë tjetër fetare për ‘t’u shtetëzuar’, e që në fakt çon në destrukturimin e shtetit të Kosovës”, komentoi Berisha për Reporteri.net.

    Por, Spahiu, i cili udhëhoqi misionin diplomatik të Kosovës në Washington e Ankara, vlerëson se këto opsione të parashtruara në “non-paper” nuk duhet të merren seriozisht.

    “Kosova nuk është në kërkim të zgjidhjes së statusit të saj, por një shtet me legjitimitet ndërkombëtar. Çdo kthim në opsione të tjera relativizojnë realitetin e saj. Këto opsione nuk duhet marrë shumë seriozisht, ndonëse duhet vëmendje se cili është qëllimi i vërtetë dhe nga ç’kuzhina dalin ato”, deklaroi Spahiu për Reporteri.net.

    Sipas Berishës dialogu nuk mund të trajtohet në bazë të tekeve të kryeministrit.

    “Ne nuk mund të mos zgjidhim çeshtjet e mbetura pezull, ne nuk mund t’i trajtojmë gjërat vetëm si i teket një kryeministri apo tjetrit në rradhë. Ka një politikë për rajonin nga BE dhe nga SHBA, qe vlenë për të gjithë, dhe palët jookoperuese vetëm mund të demtojnë shtetin e vet e asgjë më shumë”, shtoi Berisha.

    Përmbajtja e dokumentit

    Në ‘dokumentin’, autorësinë e të cilit e ka mohuar dyshja gjigante e Bashkimit Evropian, shkruhet se Kosova e Serbia duhet të pajtohen për themelimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore”, me kompetenca substanciale vetëqeverisëse.

    Distrikti Autonom i Kosovës Veriore, sipas këtij ‘dokumenti’, do ta përfshijë territorin e qytezave të Zveçanit dhe 35 fshatrave të tij, Leposaviqit dhe 72 fshatrave të tij, Mitrovicës Veriore dhe zonave të ngjitura kadastrale dhe Zubin Potokut me 63 fshatrat e tij.

    “Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistemin gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale”, thuhet në letër.

    Madje në ‘non-paper’ rënditet përmbajtja institucionale që do të ketë distrikti autonom i Kosovës Veriore.

    “Distrikti Autonom i Kosovës do ta ketë Guvernatorin që do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

    Sipas ‘dokumentit’ theksohet nevoja e ndryshimeve kushtetuese në të dy vendet ashtu që t’i hapet rrugë mundësisë së zbatimit të marrëveshjes.

    Ata theksohet se me ratifikimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese, Serbia pajtohet që të mos ankohet ndaj aplikimit nga Kosova ose anëtarësimit të saj në organizata, institucione ose instrumente ndërkombëtare, shumëpalëshe dhe rajonale, në të cilat Serbia tashmë është anëtare.

    “Të dyja palët duhet të ndërmarrin ndryshime kushtetuese dhe legjislative për ta siguruar zbatimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese.

    Me ratifikimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese, Serbia pajtohet që të mos ankohet ndaj aplikimit nga Kosova ose anëtarësimit të saj në organizata, institucione ose instrumente ndërkombëtare, shumëpalëshe dhe rajonale, në të cilat Serbia tashmë është anëtare.

    Të dyja palët do të procedojnë në supozimin se asnjëra nga dy Shtetet nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emrin e tij. Të dyja palët procedojnë mbi parimin se juridiksioni i sovranitetit të secilit prej dy Shteteve është i mbyllur në territorin e vet”, theksohet ndër të tjera në këtë dokument.

    Tutje ‘dokumenti’ parasheh udhëheqjen e dialogut të fazës finale nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me synim të arritjes së Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Për dallim nga dialogu i deritanishëm që ka hyrë në dekadën e dytë të ekzistencës, ‘dokumenti’ i vë një kornizë kohore gjatë së cilës marrëveshja finale duhet të negociohet. Procesi i finalizimit të dialogut theksohet se duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!