Pas raportimit nga Gazeta Online “Reporteri.net” se autoritetet serbe kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Marjan Gjokaj, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i cili ka kërkuar lirimin e gjakovarit.
“Sapo jam informuar se autoritetet shtetërore te Serbisë kanë arrestuar Marjan Gjokajn i cili punon për Administratën Tatimore të Kosovës, derisa po kthehej në Kosovë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ai thotë se dënon veprimin e autoriteteve serbe dhe kërkon lirimin e tij.
“Unë e dënoj këtë veprim të vazhdueshëm të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij. Frikësimi dhe provokimet ndaj zyrtarëve të Kosovës qe udhetojnë në Serbi nga aparati i sigurisë se Serbisë është një kujtim i mentalitetit të viteve ’90 në Beograd sot”, ka shkruar Pacolli.
Reporteri.net ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e policisë, Daut Hoxha por ai ka thënë se gjendet në pushim dhe nuk është në dijeni, ndërsa zëdhënësi tjetër Baki Kelani nuk e ka hapur telefonin.
Gjokaj është udhëheqës i një divizioni në Administratën Tatimore të Kosovës në qytetin e Gjakovës, shkruan Reporteri.net.
Motivet e arrestimit të Gjokajt nga autoritet serbe ende nuk dihen.
Kujtojmë se në vitin 2016 policia serbe kishte arrestuar drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.
Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”. /Reporteri.net/.