Parlamenti serb me 145 vota pro miratoi sot raportin mbi Kosovën i cili iu paraqit deputetëve nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media pas seancës Vuçiq tha se sot është edhe një ditë shumë e vështirë për Serbinë, duke aluduar në aksionin e policisë së Kosovës në Veri, shkruan Reporteri.net.
Vuçiq u shpreh se pas sulmit të sotëm asgjë më nuk do të jetë e njëjtë, as me shqiptarët dhe as me të gjithë ata që proklamuan se kjo ishte një luftë kundër krimit dhe korrupsionit, transmeton Reporteri.net
“Situata jonë nuk është aspak e lehtë, por vendosmëria jonë, dhe guximi i popullit tonë në Kosovë na shtyjnë që të punojmë edhe më shumë për të garantuar atyre siguri në Kosovë”, u shpreh ndër të tjera Vuçiq.
I pyetur për deklaratat e tij se Serbia është e gatshme të intervenoj ushtarakisht në Kosovë në rast se kërkohet, Vuçiq u shpreh se ai asnjëherë nuk e ka thënë një gjë të tillë.
“Kam thënë se Serbia është e gatshme të mbrojë popullin e saj, është e gatshme dhe do të jetë gjithmonë ta mbrojë territorin e saj. Me vite më keni akuzuar për tradhti dhe që nuk po u ndihmoj serbëve, kurse tani po më akuzoni se po luftoj. Përgjigjuni për çka jam fajtor. Se po luftoj ose po qëndroj. Nuk kam përmendur asnjë intervenim, këtë e keni bërë ju. Unë vetëm kam thënë që do ta mbroj popullin tim. Unë nuk jam njeri aq i papërgjegjshëm që popullin tim ta vë në pozitë të vështirë, por nuk jam as aq i pakujdesshëm që të lejoj që populli im të keqtrajtohet”, është shprehur ai.
Vuçiq lidhur me protestën e nesërme të paralajmëruar në Mitrovicë u ka bërë thirrje serbëve për protestë paqësore dhe u ka dërguar mesazh se Serbia do të jetë gjithmonë pranë tyre./Reporteri.net