×
  • Lajme
  • Botë

    Studim: Vaksina ruse “Sputnik V” mbi 90% efektive kundër variantit indian të COVID

    Reporteri
    29 Qershor 2021 | 23:04

    Zv.drejtori i Institutit Kërkimor Virologjik “Gamalei” të Moskës, Denis Logunof ka njoftuar ditën e sotme se pas kërkimeve laboratorike, vaksina ruse “Sputnik V” është 90% efektive përkundrejt variantit “indian/delta” të koronavirusit, që po kërcënon Europën me rikthimin e një vale tjetër infektimi në vjeshtë.


    Sipas Logunof, përgjatë muajve të fundit janë mbledhur të dhënat e vaksinimit, por edhe janë testuar pacientë me variantin indian, të cilët janë marrë nën survejim dhe të gjitha të dhënat flasin për një efektivitet të lartë të vaksinës ruse.

    “Në bazë të të dhënave aktuale, efektiviteti i vaksinës Sputnik është në nivelin 90% përsa i përket luftimit të variantit indian të COVID, ndërkohë që sipas të gjitha provave statistikore, për variantin ‘alfa’, efektiviteti është edhe më i lartë se 90%”- ka thënë ai gjatë një deklarate për shtyp.

    Natyrisht, kërkimet shkencore në një shtet autoritarian si Rusia nuk mund të jenë krejtësisht të besueshme dhe për këtë shkak Agjencia Europiane e Medikamenteve ende nuk ka marrë vendim në lidhje me certifikimin ose jo të vaksinës ruse, pikërisht për shkak të mungesës së transparencës për mënyrën sesi u zhvillua dhe u testua.

    Megjithatë, për hir të së vërtetës, ndryshe nga vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca që janë evidentuar se disa herë (statistikisht ka pak gjasa, por në miliona vaksinimi numri i të prekurve shtohet) mund të shkaktojë trompoza apo efekte të tjera serioze anësore, në 38 vendet kur ‘Sputnik V’ është eksportuar, përfshirë dhe Shqipërinë nuk ka pasur raportime të ngjashme. Ndërkohë, fakti që Gjermania, Franca dhe Austria ndodhen në negociata me Moskën për t’u furnizuar me to është një tjetër indikator i efektshmërisë së tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!