Trupat afgane janë filmuar duke dorëzuar armët te talibanët ndërsa grupi terrorist tregon armët e marra pasi ushtria amerikane bëri një tërheqje “të nxituar” nga vendi.
Daily Mail që ka publikuar pamjet shkruan se ushtria afgane po “shembet” në të gjithë vendin dhe se talibanët duket se po fitojnë luftën propagandistike me video, derisa ata po thonë se do të mirëpresin ushtarët e dorëzuar, për aq kohë sa ata dorëzojnë armët e tyre dhe makinat e blinduara.
SHBA u largua nga Bagrami javën e kaluar, baza e saj në vend për gati 20 vjet, transmeton Reporteri.net.
Sidoqoftë, gjenerali Austin Scott Miller, komandant i trupave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, tha se ishte i tronditur nga sa shpejt Ushtria Kombëtare Afgane iu dorëzua talebanëve.
Më shumë se një mijë ushtarë të Ushtrisë Kombëtare Afgane u larguan në Taxhikistani pas përplasjeve me talibanët të dielën.
Kujtojmë se për gati dy dekada fusha ajrore e Bagramit shërbeu si qendra e luftës së Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar forcat talibane nga pushteti dhe për të eleminuar terroristët e al-Kaidës.
Dorëzimi i bazës ishte një nga hapat e fundit para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e trupave të tyre.
Baza Bagram është çelësi për sigurinë e kryeqytetit të Afganistanit ndërsa ofron gjithashtu mbulim strategjik për pjesën më të madhe të veriut të vendit ku talibanët kanë përqendruar ofensivat e tyre të fundit. /Reporteri.net