Autor: Mirlind Behluli
Shoferi i autobusit që u aksidentua në autostradën në Slavonski Brod po vazhdon mbahet në paraburgim në Kroaci nën dyshimin se i njëjti ka vozitur në autostradë në kundërshtim me ligjin kroat për trafikun rrugor, që si pasojë u shkaktua aksidentit tragjik i së dielës, që u mori jetën 10 kosovarëve që po ktheheshin në vendlindje nga Gjermania. Ekstradimi në Kosovë i shoferit kosovar, sipas shtetit kroat, është herët të parashikohet, por një gjë e tillë mund të ndodh.
Në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike së Kroacisë tha se megjithatë Kosova dhe shteti kroat e kanë të rregulluar çështjen e ekstradimit të të akuzuarve me Marrëveshjen e vitit 2012 për asistencë reciproke juridike.
“Sipas legjislacionit të brendshëm kroat, kushtet për transferimin e rasteve kriminale janë duke u themeluar nga autoritetet që po kryejnë hetimet. Në këtë moment është shumë herë të parashikohet se a do të vendosë autoriteti kompetent juridik për transferimin e rastit në fjalë tek Republika e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë kroate të Drejtësisë për Reporteri.net.
Tutje, shteti kroat ka treguar se zakonisht transferimi i të pandehurve iniciohet nga shteti që gjykon apo heton rastin. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë e Kroacisë ka theksuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se do të merren parasysh edhe iniciativat që vijnë nga Kosova, shtetasi i të cilës po mbahet i paraburgosur në shtetin kroat për shkak të aksidentit ku mbetën të vdekur 10 persona.
Ndërkaq, kanë treguar se në rast se shoferi i kompanisë “Deva Tours” dënohet në Kroaci, ekziston e mundësia që atij t’i lejohet transferimi në burgun në shtetin kosovar. Natyrisht, kjo nëse plotësohen kushtet.
“Në rast se një shtetas i Republikës së Kosovës dënohet në Republikën e Kroacisë, është e mundur që ai të transferohet në Republikën e Kosovës për të vuajtur dënimin me burg në vendin e tij me qëllim të rehabilitimit më të mirë social, nëse personi i dënuar kërkon transferim dhe nëse plotësohen kushtet e përcaktuara me legjislacionin e brendshëm të të dy shteteve. Për në këtë fazë të hetimeve, është shumë herët për të folur për aktivitete të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Me Marrëveshjen e vitit 2012, Kosova dhe Kroacia janë pajtuar për mundësinë e transferimit të gjykimeve në rast se i akuzuari që ka kryer një krim është shtetas ose ka leje të qëndrimit në territorin e vendit tjetër palë nënshkruese e marrëveshjes.
Nga ana tjetër, për aludimet e para se Policia kroate ka lëshuar fletëarrest ndaj pronarit të “Deva Tours”, autobusi i të cilës u aksidentua të dielën që shkoi, kanë folur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, policia kroate.
Megjithatë, rreth kësaj çështje, Policia kroate e Brodsko-Posovina në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, nuk ka dhënë ndonjë informacion konkret nëse pronari i “Deva Torus” është duke u hetuar apo nëse është lëshuar ndonjë fletëarrest ndaj tij.
“Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjeve të juaja në lidhje me veprimet e policisë kroate ndaj pronarit të agjencisë “Deva tours””, thuhet në përgjigjen e Policisë kroate për Reporteri.net.
E sipas kompanisë në fjalë, pronari i tyre vizitoi shtetin kroat, pasi ndodhi tragjedia e së dielës, për t’u qëndruar pranë familjarëve të viktimave të aksidentit në autostradën Bregana-Lipovac afër Slavonski Brod, që u mori jetën 10 kosovarëve e dhjetëra të tjerë u lënduan.
Derisa, të njëjtit, në një bisedë me Reporteri.net, të martën, mohuan se biznesmeni nga Gjakova është në kërkim të Policisë së Kroacisë.
“Nuk është në kërkim të Policisë. Na jemi t’u bashkëpunu me Policinë lidhur me këtë rast. Për çka me qenë pronari në kërkim, s’po e kuptoj. Për çka?”, i tha përmes telefoni një punonjës i kompanisë që iu përgjigj thirrjes së gazetës.
Të lënduarit e këtij aksidenti janë kthyer në Kosovë gjatë kësaj jave. Ndërkaq të vdekurit janë varrosur në vendlindjet e tyre. Derisa, shoferit të autobusit i janë shqiptuar 30 ditë paraburgim në Kroaci dhe i njëjti ka dalë para prokurorit kroat ku është mbrojtur në heshtje.