×
  • Lajme
  • Lajme

    Reis Luzhnica bëhet deputeti i dytë shqiptar në Parlamentin e Cyrihut

    Reporteri
    17 Gusht 2021 | 22:16

    Duke filluar nga 25 gushti një vend në Parlamentin e qytetit të Cyrihut (asamblenë) do ta “mbulojë” një politikan i ri shqiptarozviceran. Bëhet fjalë për Reis Luzhnicën, të lindur në Prishtinë, në vitin 1990.


    Luzhnica, i ardhur në Zvicër me prindërit kur ishte vetëm dy vjeç, do të trashëgojë kështu vendin e deputetes Vera Ziswiler e cila kalon në një post të ri.

    Reis Luzhnica në zgjedhjet e fundit (2018) ka qenë kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP) ndërsa votat e fituara nuk i kishin mjaftuar për të siguruar vendin në asamble.

    Tani, duke qenë i pari në listë pas fituesit të atëhershëm nga partia e tij, atij i takon ta marrë mandatin e deputetit/asambleistit të Cyrihut.

    I kontaktuar nga albinfo.ch, deputeti më i ri i Cyrihut, Reis Luzhnoca thotë: “Jam shumë i motivuar qe te angazhohem me politika socialdemokrate për të gjithë qytetarët e Cyrihut, pa dallime. Qytetin tonë e presin sfida të ndryshme në te ardhmen, për të cilat sp-ja i ka përgjigjet e duhura”.

    Reis Luzhnica drejton një punëtori shtypi në Altstetten. Krahas anëtarësisë në SP ai njihet ehde për angazhimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, në Zvicër.

    Qyteti i Cyrihut është një metropol i vërtetë dhe, me rreth 440.000 banorët e tij, dukshëm më i madh në krahasim me qytetet tjera të mëdha në Zvicër.

    Siç dihet, në Cyrih dhe rrethinë është përqendruar një komunitet i madh shqiptar, sigurisht, më i madhi në Zvicër . Por, deri para tri vitesh nga ky komunitet nuk kishte asnjë përfaqësues në Parlament.

    Shqiptariozvicerani i parë që arriti të bëhej pjesë e Parlamentit të qytetit, ishte Përparim Avdili, me prejardhje nga Kumanova, kandidat i Partisë Liberale (FDP).

    Marrë parasysh madhësinë e Cyrihut, të jesh i përfaqësuar në parlamentin e këtij qyteti është sigurisht diçka më e veçantë, shkruan albinfo.ch. Prandaj lajmi për deputetin e dytë me prejardhje shqiptare në këtë parlament është po ashtu me rëndësi.

    Të kujtojmë, deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut aktualisht është politikania e re nga SP, Qëndresa Sadriu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!