Pas tensioneve të ngritura pas vendosjes së reciprocitetit në targa, në Bruksel, pala kosovare dhe ajo serbe këtë javë pritet të mbajnë takim dialogu.
Në takimin që është paralajmëruar të mbahet nesër, janë krijuar paqartësi nëse aty do të jetë prezent edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, shkruan Reporteri.net.
BE-ja ka mohuar se Escobar do të jetë pjesë e takimit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se takimi do të mbahet nesër, por ai ka mohuar se zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar do të jetë prezent në takim.
“Jo, z.Escobar nuk do të jetë prezent në dialog. Dialogu ka 3 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE’në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano.
Mirëpo, ndryshe kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë për Gazetën Online Reporteri.net.
Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që çdo automjet që hyn në Kosovë nga Serbia të ketë të vendosura targat e përkohshme.
Serbët për të kundërshtuar këtë vendim vendosën barrikada të shumta në rrugët që çojnë drejt pjesës kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, duke i lënë të bllokuar këto dy pika kufitare tash e nëntë ditë. /Reporteri.net