×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada e SHBA në Prishtinë për Reporteri: Takimi Kosovë-Serbi mbahet këtë javë në Bruksel, merr pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar

    Reporteri
    27 Shtator 2021 | 21:26

    Autor: Mirlind Behluli


    Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë aktivizuar në kërkim të një zgjidhjeje për krizën në veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit për targa. E për këtë çështje pritet të mbahet edhe një takim në Bruksel, ku do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi amerikan, Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit.


    Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se janë të kënaqur që Kosova e Serbia janë dakorduar për t’u takuar këtë javë në Bruksel.

    “Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë për Gazetën Online Reporteri.net.

    Tutje, Ambasada Amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje dy vendeve për t’u rikthyer në dialogun e lehtësuar nga BE.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të adresuar menjëherë këto çështje, duke përfshirë efektet në sektorin e energjisë dhe ekonominë më të gjerë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një recetë se si të trajtohen këto tema; kjo u takon palëve për të diskutuar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA në Prishtinë për Reporteri.net.

    Tutje, sot gjatë ditës, edhe Qeveria e Kosovës e ka pohuar për Gazetën Online Reporteri.net se do të ketë takim Kosovë-Serbi së shpejti në Bruksel, por duke shtuar se ende nuk është konfirmuar dita e takimit.

    “Duket se do ketë takim së shpejti. Po ende nuk është konfirmu përfundimisht dita”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë përmes zëdhënësit të saj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!