×
  • Lajme
  • Lajme

    Akuzat e koordinatorëve se u braktisën nga Vjosa Osmani, Donika Gërvalla shpërthen në lot: Mos më tregoni mua për sakrifica (III)

    Reporteri
    10 Tetor 2021 | 15:25

    Kur gjërat dhe diskutimi filloi të shkojnë si mos më keq, në tubimin e Listës Guxo në Dubovik të Pejës, nikoqirja e takimit, Donika Gërvalla-Schwarz mbajti një fjalim të gjatë, jo shumë të këndshëm për të pranishmit. Kryediplomatja Gërvalla u tregua mosmirënjohëse për përkrahësit e saj, e u kërkoi nënshtrim koordinatorëve të zhgënjyer të qendrave të Listës Guxo. Gazeta Online Reporteri.net ua sjell pjesën e tretë të detajeve dhe videove ekskluzive nga takimi i shpërbërjes së subjektit politik të krijuar nga Presidentja Vjosa Osmani, që u braktisë nga ajo dhe bashkëpunëtorët e afërt të saj, me të marrë pozitën e shefes së shtetit.

    Donika Gërvallës nuk i pëlqyen akuzat e koordinatorëve të Listës Guxo, se ata u braktisën nga ajo e Vjosa Osmani, me të marrë pozitat qeveritare e shtetërore, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

    Nikoqirja e takimit që u mbajt para disa muajve në kullat e familjes së saj në Dubovik të Pejës, gjatë gjithë fjalimit të saj, në videot e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, dëgjohet të flas me zë të ngjirur dhe tensionuar.

     

    Për një moment ajo shpërthen edhe në lot.

    “Ju shkoni në mbrëmje të gjithë tek familjet e juaja, prandaj mos më tregoni për sakrifica”, thotë Gervalla-Schwarz, teksa dridhjet e zërit dhe lotët në sy “e tradhtojnë”.

    “Kaq”, shton ajo me ton detyrues për të pranishmit.

    Gërvalla-Schwarz këto fjalë i thotë pasi koordinatorët e Listës Guxo, në sy ia thanë se ajo dhe bashkëpunëtorët tjerë të ngushtë të Vjosa Osmanit nuk ua hapën më telefonin pas zgjedhjeve të shkurtit 2021.

    Ata po kundërshtonin edhe shkrirjen e mundshme në Lëvizjen Vetëvendosje, derisa Kryediplomatja Gërvalla ua bën atyre me dije se nuk është e gatshme ta marrë drejtimin e Listës Guxo.

    Në këtë takimin në Dubovik, koordinatori i qendrës së Listës Guxo në Vushtri, Nasuf Bejta, e pohon haptas se e konsideron “të djegur” veten. Ai në seancën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente doli kundërkandidat i saj, për t’i siguruar asaj përmbushjen e proceduarave Kushtetuese për votimin si shefe e shtetit.

    “Njëkohësisht, ndoshta, fundi ka me tregu se ndoshta jam ma i djeguri prej krejt kësaj liste”, shihet dhe dëgjohet teksa thotë ish-kandidati për deputet i Listës Guxo, në videon e fjalimit të tij në Dubovik, të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.

    “Nuk e kam lut askënd nga ju, absolut asnjë prej jush, nuk e kam thirr as në 1 të natës, as në 5 të mëngjesit në telefon”, u kundërpërgjigjet Donika Gervalla bashkëpartiakëve dhe mbështetësve të saj e Listës Guxo, që po e akuzonin atë për “braktisje”.

    “Ju s’keni nevojë me kërku vota për mu. Ju është dashtë me kërku vota për ata kandidatë të cilët përfaqësojnë idetë e juaja”, shton nder tjera udhëheqësja aktuale e Listës Guxo, në videon e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, të fjalimit të saj në Dubovik.

    “Edhe 300 mijë votat e zonjës Presidente, unë nuk besoj që ajo ju ka lutë “amani boni për Vjosën””, thotë ajo.

    “Asnjëherë, asnjërin nga ju nuk e kam lutur aman a po më bëni drejtuese të Listës. Në asnjë moment të caktum. Asnjërin prej jush nuk e kam lut, të lutem, thuaj dikujt, ose lufto për mu që unë të bëhem Ministre e Punëve të Jashtme”, thotë Gërvalla-Schwarz. [VAZHDON…]

    LEXO EDHE:

    (Pjesa e dytë – FOTO/VIDEO EKSKLUZIVE): Takimi “i fshehtë” i Listës Guxo në Dubovik: Donika Gërvalla aspak mirënjohëse për përkrahësit e saj, u kërkon atyre nënshtrim

    (Pjesa e parë – FOTO/VIDEO EKSKLUZIVE): Takimi në Dubovik ku u konfirmua shpërbërja e Listës Guxo, e u turpërua Donika Gërvalla: Nuk na keni hapë ma telefonin, m’keni djegë, po bajnë hajgare me mu 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!