×
  • Lajme
  • Lajme

    Pranon fajësinë e akuzuara që e ngacmoi profesorin, i kërkon falje dhe premton se nuk do ta përsëris

    Reporteri
    14 Tetor 2021 | 13:11

    E akuzuara A.A ka pranuar se e ka ngacmuar profesorin e saj, B.B, duke i shkuar edhe në shtëpi e duke i kërkuar lidhje dashurie.

    Në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramadan Koro, e akuzuara e ka pranuar fajësinë.

    “E pranoj fajësinë për akuzën e cila më vihet në barrë, sepse të dëmtuarin e kam ngacmuar një kohë, i kërkoj falje dhe i premtoj gjykatës dhe të dëmtuarit se nuk do ta përsërisë veprën penale”, ka deklaruara A.A, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    E njëjta ka kërkuar nga gjykata që pranimi i fajësisë të merret si rrethane lehtësuese.

    Tutje, mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Ibadete Xhafa-Kuçi ka kërkuar nga gjykata që të ftohet eksperti i cili e ka bërë ekspertizën dhe ka konstatuar se e mbrojtura e saj ka nevojë t’i nënshtrohet një procesi psikoterapeutik, me karakter psiko-edukativ, si dhe të sqarojë se për çfarë trajtimi bëhet fjalë. E pas kësaj, avokatja tha se duhet marrë parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë edhe pranimin e fajësisë.

    Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarës nuk u kundërshtua nga prokurori Koro, e më pa u aprovua nga gjykatësi Lavdim Bajraktari.

    Në seancën e radhës e cila u caktua th mbahet më 8 nëntor 2021, në ora 09:00, do të ftohet ekspertja Arife Veselaj.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren e pandehura A/A nga dhjetori i vitit 2018 e në vazhdimësi deri më 5 gusht 2020, në vende të ndryshme ka ngacmuar ish-profesorin e saj.

    Madje, në aktakuzë, thuhet se e pandehura i ka shkuar edhe në shtëpi të dëmtuarit duke i kërkuar lidhje dashurie.

    Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura e ka ndaluar edhe në rrugë të dëmtuarin, duke tentuar ta përqafojë përkundër kundërshtimit të të dëmtuarit.

    Me këto veprime e pandehura A.A, të dëmtuarit B.B, i shkakton shqetësim të madh emocional. Andaj, me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 1 i Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!