×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-drejtori i Policisë: Operacioni i djeshëm s’ka qenë i përgatitur mirë, rrjedhja e informacionit paraqet rrezikim direkt të jetës së policëve

    Reporteri
    14 Tetor 2021 | 13:41

    Autor: Çlirim Qeriqi


    Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme pati një aksion në Veri të Mitrovicës dhe disa qytete të tjera kundër kontrabandës së mallrave. Në Mitrovicën e Veriut, Policia hasi në rezistencë të qytetarëve serb dhe u sulmuan edhe me bomba gazi

    Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti në një konferencë për media hodhi dyshime se ka mundur të ketë rrjedhje të informacioneve të operacionit.

    “Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’kanë mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit. Si pasojë 10 zyrtarë kanë pësuar lëndime, 7 shqiptarë, tre prej tyre hetues, tre operatorë të njësisë speciale e tre të reagimit të shpejtë.”, tha drejtori i Policisë.

    Në lidhje me këtë çështje për Gazetën Online Reporteri.net u prononcua ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

    Ai u shprehë se rrjedhja e informacioneve paraqet direkt rrezikim të jetës së zyrtarëve policor.

    “Nga konferenca për media e kuptova nga Drejtori i Policisë i cili tha që ka pasur rrjedhje të  informacionit. Duke pasur parasysh që në operacion ka pasur të kyçura më shumë së një agjencion e po ashtu edhe Prokuroria e shtetit ( sipas konferencës për media edhe prokuror e gjyqtarë të komunitetit serb ) gjithmonë ka rrezik që informacioni të rrjedh”, u shprehë Qalaj që sot është anëtar i kryesisë së PDK-së.

    Tutje, ish-drejtori i Policisë u shprehë se zbulimi i burimit të rrjedhjes së informacionit është i vështirë.

    “Hetimi dhe zbulimi i burimit të rrjedhjes së informacionit është mjaft i vështirë.”

    “Rrjedhja e informacionit në operacione me rrezik të lartë paraqet direkt rrezikim të jetës së zyrtarëve policor dhe është vepër penale e dënueshme me kodin penal të Kosovës ndërsa lartësia e dënimit varet se si e klasifikon veprën Prokurori kur të ngrit aktakuzën”, tha ai për Reporteri.net.

    Ndërsa operacionin e djeshëm Qalaj nuk e sheh mirë të përgatitur dhe të pasuksesshëm.

    “Vlerësimi im për operacionin e djeshëm është se operacioni nuk ka qenë i përgatitur mirë, nuk është bërë si duhet vlerësimi i rrezikut në mënyrë që të bëhen përgatitjet e duhura , fatmirësisht nuk ka pasur humbje të jetës së asnjë zyrtari policor, të qytetarëve apo gazetarëve. Une operacionin e konsideroj të pasuksesëshem duke marrë parasysh se si janë zhvilluar ngjarjet”, përfundoi Qalaj.

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dje në konferencë tha se gjatë operacionit kundër kontrabandimit me mallra në Mitrovicën e Veriut, 10 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore.

    Tetë persona janë arrestuar nga ky aksion kurse 10 të tjerë janë në kërkim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!