×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Mbyllet Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, kjo është arsyeja

    Reporteri
    13 Qershor 2019 | 16:43
    DCIM113GOPRO

    Mbyllin përkohësisht dyert dhe ndërpresin aktivitetin dy prej muzeve kryesore në qytetin e Korçës.


    Ata janë Muzeu Kombëtar i Arsimit, i njohur ndryshe si Muzeu i Mësonjëtores së parë Shqipe, dhe Muzeu Arkeologjik.

    Shkaku që këto dy qendra muzeale mbyllen për një afat të pacaktuar, lidhet me pasojat e tërmetit të 1 qershorit që goditi rajonin juglindor.

    Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, e pohoi faktin se këto dy muze janë mbyllur për shkaqe sigurie pas rënies së tërmetit. Ai sqaroi se nga ana e specialistëve të Ministrisë të Kulturës do vlerësohet gjendja dhe masat që duhen ndërmarrë për këto objekte, raporton vizionplus.

    Ka të dhëna se valët e tërmetit shkaktuan dëme të lehta në objektet ku funksionojnë Muzeu i Arsimit dhe ai Arkeologjik.

    Vetë ndërtesat e amortizuara, sidomos ajo e Mësonjëtores së parë Shqipe, nuk i përballuan pa dëme goditjet e tërmetit.

    Mbyllja e dy qendrave muzeale në Korçë, është vendosur edhe si masë mbrojtëse për sigurinë e jetës së vizitorëve pavarësisht se lëkundjet sizmike duken të kaluara në rajonin juglindor.

    Ende nuk dihet se kur këto qendra muzeale do të rifillojnë aktivitetin, ndërsa Muzeu Kombëtar i Arsimit është edhe në projekt restaurimi për gjendjen e amortizuar të ndërtesës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!