Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë qëndrimit në Forumin Diplomatik të Antalyas kishte takuar edhe homologun e saj nga Palestina, Riyad al-Maliki.
Për këtë takim sot ka folur edhe Ambasadori palestinez në Serbi, Mohamed Nabhan, i cili tha se qëndrimi i Palestinës për Kosovën nuk ka ndryshuar dhe se fakti që ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla u takua së fundi me ministrin e Jashtëm palestinez Riyad Malki nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim.
“Fakti që ministri u takua në periferi të një takimi në një qytet turk nuk do të thotë asgjë për ne dhe nuk do të thotë ndryshim qëndrimi”, tha Nabhan për Kosovo Online, transmeton Reporteri.net.
Ai shtoi se Palestina, kur bëhet fjalë për Kosovën, udhëhiqet nga dy parime: respektimi i Rezolutës 1244 të OKB-së dhe avokimi për negociata ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Së dyti, çështja e hapjes së të ashtuquajturës ambasadë të Kosovës. Kjo zonjë nuk e di mjaftueshëm se çfarë do të thotë Jeruzalemi për Palestinën dhe arabët. Ajo duhet të dijë pozicionin e Palestinës dhe myslimaneve dhe të krishterëve palestinezë dhe vetëm atëherë të thotë diçka për të”, tha Nabhan.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës më 13 mars të këtij viti kishte lëshuar një komunikatë për media ku kishte njoftuar për takimet që Gërvalla kishte zhvilluar në Turqi gjatë Forumit në Antalya.
Megjithatë takimi me Al-Malikin e Palestinës nuk figuron askund.