×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ky është kallashi dhe burri që u fut në qendrën e votimit në Durrës

    Reporteri
    30 Qershor 2019 | 10:52

    Një incident i rëndë është regjistruar paraditen e sotme në një qendër votimi në Durrës. Sipas policisë një 53-vjeçar është futur me armë në qendrën e votimit, kërcënon komisionerët, thyen kutinë e votimit, por arrestohet në flagrancë.


    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:55, në Katund Sukth, Durrës, ku shtetasi Ramiz Bakanaçi 53 vjeç, banues në Katund Sukth, është futur me armë zjarri në QV nr. 1521, dhe pasi ka kërcënuar komisionerët, ka marrë kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të QV dhe ka hedhur materialet zgjedhore.

    Reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur kapjen e këtij personi. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi .

    Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

    Policia e Shtetit thotë se është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!