Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”, shkruan Reporteri.net.
“Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.”, thuhet në njoftimin për media.
Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pak më parë foli rreth aplikimit të Kosovës në KE.
Më këtë rast ai është pyetur për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe tha se s’mund ta konfirmojë momentalisht aplikimin.
I pyetur se a i ka siguruar Kosova votat e mjaftueshme, ai tha se janë duke bërë gjithçka çka është e mundur.
“Kemi edhe një delegacion që është atje i cili është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit i cili merr pjesë vazhdimisht në asamblenë e KE. Është bërë punë e madhe që së pakku një vit, por puna ka qenë edhe e mëhershme. Edhe vet kur kam qenë në opozitë kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Evropë. Kemi punuar të gjithë së bashku pavarësisht partive politike. Ky është sukses i Kosovës jo i ndonjë partie në mënyrë të veçantë”, tha Konjufca. /Reporteri.net