Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimeve, Dhurata Hoxha, dy ish-zyrtarëve të kësaj ministrie, pasi dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në dobi të përfitimit të ish-Ministres në fushatën zgjedhore të 6 tetorit 2019. Në aktakuzë përfshihet edhe një biznesmen, që dyshohet se u ofroi ndihmë tre të akuzuarve tjerë në kryerjen e veprës penale.
Për një kontratë e dhënë në vitin 2019 për “Shërbime të informimit publik për nevojat e Ministrisë së Integrimeve”, ish-Ministrja Dhurata Hoxha, dy ish-zyrtarë të saj dhe një biznesmen do të gjykohen për dyshime për korrupsion dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit në dobi të fushatës zgjedhore të ish-ministres.
Kjo pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza për dyshime për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” ndaj ish-Ministres Dhurata Hoxha, zyrtarit të saj për komunikim dhe informim Gëzim Dushi, zyrtarit përgjegjës për prokurorim në MIE Fitim Mustafa dhe biznesmenit Ekrem Tahiri, pronar i kompanisë “PR Solutions”. Ky i fundit, sipas Prokurorisë, akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Në arsyetimin e aktakuzës të cilën e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net thuhet se Dhurata Hoxha, në cilësinë e personit zyrtarë, si ministre e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, më 11 korrik 2019 e kishte nënshkruar kontratën për shërbime të informimit për nevojat e MIE-së me operatorin ekonomik “PR Solution”, dhe edhe pse aktiviteti i prokurorimit ishte iniciuar me qëllimin që kontrata të shfrytëzohej për nevojat e MIE-së dhe të informimit të drejtë të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme si ai i liberalizimit të vizave, procesit të MSA’së, etj., e njëjta kontratë ishte shfrytëzuar par promovimin e fushatës së saj zgjedhore në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
“Duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë detyrat dhe përgjithësitë e saj si Ministre i kishte shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme dhe me qellim të promovimit të fushatës së saj zgjedhore për mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019, e që përfshinin kryesisht publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vinin në pah dhe qendër të vëmendjes të pandehurën Dhurata Hoxha dhe emrin e saj, të arriturat dhe synimet e saj për të ardhmen, e që ishin në kundërshtim me qëllimin, kushtet dhe kriteret e Kontratës, duke mundësuar kështu për veten e saj përfitim të padrejtë në dem të Buxhetit të Kosovës në shumën prej 143.447.80 Euro sa edhe ishte shpenzuar për Kontratën në fjalë gjatë periudhës kohore gusht-tetor 2019”, thonë pretendimit prokurorit special në aktakuzë.
Me këtë, e pandehura Dhurata Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar nga neni 414 par.2 të KPRK-së, thuhet në aktakuzë.
Tutje, sipas kësaj aktakuze ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuar Fitim Mustafa në cilësinë e personit zyrtar, përgjegjës i Prokurorimit në MIE, më datë 19 qershor 2019 me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kontraktuar dy operatorë ekonomik, përfshirë edhe “PR Solutions” pronari i së cilës është i bashkakuzuar në të njëjtin rast, dhe duket vënë kriter shtesë të papërcaktuar në Dosje të Tenderit kishte eliminuar nga gara për kontratë operatorin ekonomik që kishte ofertuar me çmimin më të ulët në tender.
Sipas aktakuzës, oferta më e ulet në tender kishte qenë me çmim rreth 192 mijë e 700 Euro më pak sesa ajo që u shpërblye me kontratë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solutions”, duke dëmtuar kështu Buxhetin e Republikë së Kosovës në shumën prej 143 mijë e 446 Euro sa edhe ishte shpenzuar për kontratën në fjalë gjatë periudhës kohore të implementimit gusht-tetor 2019”, thuhet në aktakuzë.
Me këtë, sipas Prokurorisë Speciale, i akuzuar Fitim Mustafa ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar nga neni 414 par 2 të KPRK-së”.
Tutje, në aktakuzë, prokurori special arsyeton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Ekrem Tahiri, në të njëjtën periudhe kohore, në cilësinë e bashkë-pronarit dhe drejtorit të “PR Solutions”, kompani e cila kishte hyrë në mardhëdhënie kontraktuale me MIE, me dashje dhe dijeni shërbimet e ofruara përmes kompanisë së tij nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishte në dijeni se shërbimet qe kryente nuk ishin konform kushteve të kontratës.
“Edhe pse ishte në dijeni se shërbimet që kryente nuk ishin shërbime të ofruara konform kushteve të kontratës dhe ashtu si ishin përcaktuar në dosje të tenderit dhe edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e kryera kishin të bëjnë me promovimin e fushatës zgjedhore për të pandehurën Dhurata Hoxha, e cila kishte kandiduar për zgjedhjet parlamentare të datës 6 tetor 2019, me qëllimin për t’i mundësuar përfitim të padrejtë të pandehurës Dhurata Hoxha dhe vet kompanisë së tij “PR Solutions” e në dëm të Buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143.447.80 Euro sa edhe ishte shpenzuar për Kontratën në fjalë gjatë periudhës kohore gusht-tetor 2019”, thuhet në aktakuzë.
Me këtë, i akuzuari Ekrem Tahiri, ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pretendon Prokuroria e Shtetit.
Tutje, i akuzuar tjetër në të njëjtin rast është edhe Gëzim Dushi, i cili dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën e njëjtë, gjatë implementimit të kontratës së njëjtë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, duke qenë Menaxher i Kontratës në fjalë nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtarë të tij.
“Përkundrazi kishte lejuar dhe kërkuar të pranoheshin shërbimet, e më pas edhe të procedohen pagesat. Edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime të kryera konform kushteve të kontratës dhe ashtu si ishin përcaktuar në dosje të tenderit, dhe edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuar që përfshinin kryesisht publikimin e banereve, artikujve dhe video spoteve e që vinin në pah dhe qendër të vëmendjes Dhuara Hoxhën kishin të bëjnë me promovimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 6 tetor 2019 në të cilat kishte knadiduar edhe e pandehura Dhurata Hoxha, krejt kjo me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për të pandehurën Dhurata Hoxha përmes promovimit të fushatës së saj zgjedhore, dhe duke dëmtuar kështu Buxhetin e Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Më këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari Gëzim Dushi ka kryer veprën penale “Keqpërdormi i pozitës apo autoritet zyrtar”.