Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, me të cilën kanë biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre.
Nëpërmjet një komunikate për media, tregohet se temë diskutimi ka qenë fusha e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë por edhe fusha tjera me interes të dyanshëm.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani, sot është pritur në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė. Të dy bashkëbisedueset kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore, dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhet në komunikatë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Në takim është folur edhe për luftën në Ukrainë, ku Osmani ka ripotencuar mbështetjen e popullit të Kosovës ndaj atij ukrainas.
“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq, ajo i ka kërkuar mbështetje kryeministres Simonyte për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave. /Reporteri.net/.