Presidenti i Shqipërisë, Ilira Meta, përkundër vendimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të mos marrë pjesë në Samitin e organizuar nga Bosnja, ka udhëtuar drejt Sarajevës ku po mbahet Samiti për Bashkëpunim të vendeve të Evropës Juglindore.
Meta, i cili mbajti fjalim në takimin e planifikuar të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) kërkoi që Bosnja ta pranojë realitetin, që Kosova është një vend i pavarur dhe sovran, transmeton Reporteri.net.
Ai tha se përfaqësuesit e Kosovës, u detyruan të mos marrin pjesë në këtë samit, dhe shtoi se nuk mund të ketë bashkëpunim të suksesshëm rajonal nëse disa vende përjashtohen nga iniciativa të tilla.
“Si të pretendojmë kemi një bashkëpunim rajonal të suksesshëm nëse disa pjesëmarrës të këtij Samiti po bëjnë gjithçka për të përjashtuar disa shtete që të kenë përfitime nga iniciativat rajonale”, kritikoi Meta.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi kryeministrja serbe, Ana Brnabiq e cila tha se ky samit nuk e njeh Republikën e Kosovës ashtu si edhe nikoqirët, Bosnja dhe Hercegovina dhe se diplomatikisht është në rregull që kjo të respektohet.
“Jo vetëm kjo, por në Samit, përveç formatit të takimit, po marrin pjesë edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën – Rumania, Greqia dhe Moldavia”, tha Brnabiq.
Kujtojmë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur që në shenjë solidarizimi me Kosovën, të mos marrë pjesë në këtë Samit të organizuar në Bosnje. /Reporteri.net