×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Personi që goditi për vdekje fëmiun në Himarë është polic, përjashtohet nga puna

    Reporteri
    02 Gusht 2022 | 18:04

    Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e trishtë të ndodhur mesditën e sotme, në Potam, Himarë, ku humbi jetën një fëmijë 5 vjeç, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar, Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.

    Gjithashtu, është pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar, Shpëtim Hasanaliaj.

    Drejtori Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

    Autori ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 5-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje. Policia i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 5-vjeçare. /rtsh.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!