Indinjatat e zëvendësit të qeverisë, Besnik Bislimit, drejtuar gazetarëve, nuk kanë qenë ralla me të marrë postin e shefit të dytë të qeverisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Përveç se, siç rëndom bën, i akuzon për “pyetje të palogjikshme”, ai thoshte se gazetarët edhe “po e bëjnë temë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
“Askush në Bruksel nuk na e kërkon këtë”, thoshte mendjeprerë Bislimi.
Madje, për t’i dhënë kreshendo pretendimeve të tij, Bislimi në televizionin publik kishte shpalosur edhe një pyetje që, sipas tij, ia kishte drejtuar fascilituesit të BE-së, Miroslav Lajçakut, shkruan Gazeta Online reporteri.net.
“Pse deklarohesh për Asociacionin”, thoshte Bislimi t’i ishte drejtuar Lajçakut. “Por, gazetarët e juaj na pyesin”, thoshte se i është përgjigjur Lajçaku.
Kjo, një sekuencë e versioneve të zv/krymeinistrit.
Hiç më larg se dje, emisari sllovak, Miroslav Lajçak, pak para se të niste vizitën në Prishtinë, u intervistua nga BBC-ja në gjuhën serbe. Dhe, tema e Asociacionit, ishte, kërkueshëm, aty.
“Liderëve u kam kërkuar të ndërrojnë narracionin”, pohoi ai.
“Liderëve u kam kërkuar ta shohin si mundësi”.
Cili është narracioni që ka ndërmend Lajçaku. S’do shumë mend se është narracioni i Zajednicës, i ‘bosnjëzimit’, i një ‘republike serbe’, i një ‘pushteti të tretë’, i një ‘shteti brenda shtetit’.
Së paku, këto janë kumbimet diskursive që lëvizja politike e Bislimit i ka etabluar në opinionin, dhe në refuzimin e të cilave ka ndërtuar pjesë të konsiderueshme të kauzave politike.
Përveç Lajçakut, edhe emisari amerikan i ngarkuar me çështje ballkanike, Gabriel Escobar, pohoi se në vizitën e fundit të krerëve kosovarë në Uashington, Sekretari Anthony Blinken, u ka kërkuar nisjen e negociatave për Asociacionin.
Amerikanët, megjithatë, thanë se assesi një formacion i tillë, nuk guxon të jetë ‘shtet brenda shtetit’, por të dizajnohet sipas modeleve ekzistuese të shoqërive multi-etnike evropiane.
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca, në një paraqitje televizive ishte shprehur decidivisht, se Asociacion nuk do të ketë e nuk bën të ketë “as kësi e as asi” – që do të thotë se as me – e as pa – komptenca ekzekutive.
Albin Kurti, tash kryeministër e atëbotë farkëtuesi i këtij narracioni, argumentonte përmes një kolumne të shkruar nga burgu se për ta dashur Zajdenicën, nevojitej posedimi paraprak i tri cilësive:
Të qënit mazohist, pra i dashuruar ose të përjetuarit të kënaqësisë nga shkaktimi i vetes dhimje – të qënit serbofil, pra i tërhequr, çfarëdo tërheqje qoftë, ndaj gjërave serbe – dhe të qënit i korruptuar e korruptueshëm, rrjedhimisht i shantazhueshëm.
Me njërën nga këto trija, ose në kombinim, ose të trija së bashku, sipas Kurtit, atëherë do të kualifikoshe për zajedniç.
Megjithëkëto tregime, Kurti në një intervistë dhënë së fundi për mediat e huaja, tha se Asociacion të ndërtuar mbi baza etnike nuk mund të ketë. Por, tha ai, nuk përjashtohet se “mund të jenë të nevojshme” Asociacionet të ndërtuara mbi baza zhvillimore, ekonomike apo gjeografike.
Se Asociacioni nuk është ndërtuar mbi baza etnike, megjithatë një gjë rëndom përmendet. Ishte vetë Isa Mustafa – i cili nga Lëvizja Vetëvendosje akuzohet për nënshkrimin e ‘bosnjëzimit’ të Kosovës – ai i cili, në Marrëveshjen e Asociacionit, kishte kërkuar që ajo t’i nënshtrohej testit kushtetues të Kosovës, në të cilin argument mbështetet pikërisht kryeministri për mosthemelimin e saj.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sa i përket palës serbe, konsiderohet si “boshti i gjithë marrëveshjeve të Brukselit”, ndonëse vetë Serbia, me të pranuar kushtin e vendosur nga ish-kryeministri Mustafa, e kishte nënshkruar që ajo t’i nënshtrohej testit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Asociacioni, përkundër ç’thotë Bislimi, që s’ia kërkon askush askund, del të jetë edhe kërkesë e Brukselit dhe e Uashingtonit. Por, që megjithatë sipas Lajçakut, i është kërkuar “të ndërrohet narracioni”./Reporteri.net/