×
  • Lajme
  • Lajme

    Sa afër planit franko-gjerman janë Kosova dhe Serbia?

    Reporteri
    13 Dhjetor 2022 | 14:31
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ndërmjetësi Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

    Autor: Xhezair Dashi


    E dalë si përmes një membrane nga një realitet tjetër, plani ‘franko-gjerman’ provon të ndërrojë hesapin njëherë e mirë në zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Qeveria e Kosovës e vlerëson për “bazë të mirë” për negociata të mëtejme, derisa Serbia, së paku deklarativisht, nuk e ka mohuar e as pohuar atë.

    Radio Evropa e Lirë, gjatë fundjavës, dha pjesë të pasqyrimeve se si lexonin premisat mbi të cilat ndërtohet “versioni i ri” i këtij plani për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Për që i ngjasonte modelit të Dy Gjermanive ishte e qartë jo vetëm në përmbajtje, por edhe në emër – si Marrëveshje Bazë.

    Marrëdhëniet do të normalizoheshin simbas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha implikimeve të përmbajtura brenda saj, posaçërisht respektimin e pavarësisë, autonomisë, integritetit territorial dhe të së drejtës për vetëvendosje.

    Ngjarjet e fundit, megjithatë, shpërfaqin nervin e “keq” të problemit – veriun e vendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga ç’shihet e dëgjohet publikisht, prospekti për një marrëveshje duket i largët, ndonëse datat e përfolura janë shumë pranë. Tensionet, sulmet, diskursi dhe disponimi nuk paraqiten të jenë të frytshme që për indikatorë të kishin një marrëveshje “historike”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, madje ka afat të qartë kalendarik kur kjo marrëveshje duhet të bëhet, ndërsa nga ç’shihet prej palës serbe, është e kundërta.

    (Pa)mundësia për marrëveshje

    Sulmet ndaj autoriteteve të rendit dhe ligjit të Kosovës arritën kulmin, kur një zyrtar policor u plagos rëndë nga një breshëri plumbash në Zveçan prej bandave në veri.

    Jo vetëm autoritet kosovare, bandat e maskuara në veri sulmuan edhe një automjet të misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

    Kjo gjë ngjalli reagime të ashpra ndërkombëtare, të cilët ndonëse u shprehën se i “mirëkuptojnë protestat” thanë assesi që jo dhunën.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme u desh të shtyhen në katër komunat veriore për shkaqe të mungesës së sigurisë.

    Megjithatë shtyrja e zgjedhjeve nuk mjaftoi për të depërshkallëzuar situatën, kur për shkak të arrestimit të një ish-pjesëtari policor serb, Dejan Pantiç, serbët e veriut barrikaduan rrugën në Rudare të Leposaviçit, rrugë e cila shpien për në pikën kufitare në Jarinje.

    Kjo pikë kufitare, gjithashtu edhe e Bërnjakut, mbeten të mbyllura përkohësisht.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse me retorikë të zbutur, kërkoi nga forcat paqeruajtëse e NATO-s të largojë barrikadat.

    Përveç kësaj, Serbia do t’i nisë kërkesë zyrtare NATO-s për t’ia aprovuar “rikthimin” e një force ushtarake serbe prej një mijë trupash në Kosovë. Krejt kjo, ngaqë “KFOR-i dhe EULEX-i s’po kryejnë punën e tyre”, propagandoi ditë më parë kryenegociatori serb, Petar Petkoviç.

    Vuçiç, megjithatë, ndryshe nga ventrilokisti i tij Petkoviç, serbëve iu drejtua me thirrjen se “përderisa gjërat në terren nuk dëshmojnë ndryshe, serbët t’i besojnë KFOR-it”.

    Largimi i serbëve nga institucionet dhe “refuzimi” serb i planit

    Ishte i pari kryeministri kosovar, Albin Kurti, ai që e “lexoi” refuzimin serb të planit franko-gjerman. Tërë tensionet në veri të vendit me targat, djegien e veturave, dorëheqjet en masse* nga institucionet e vendit prej serbëve, ishin vetëm se “kamuflim” i refuzimit që Serbia i kishte bërë planit franko-gjerman, sipas tij.

    Megjithatë, Bashkimi Evropian s’thoshte kështu. Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, BE kishte thënë se “nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Serbisë”.

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, versionin e parapërditësuar e kishte quajtur “të papranueshëm”, deklaratë kjo e cila ishte lexuar si pozicion zyrtar i qeverisë serbe.

    Megjithatë, ditë më parë, në një intervistë dhënë për BBC-në në gjuhën serbe, ai thotë se “as nuk e kanë pranuar e as refuzuar”.

    Daçiç tha se kanë artikuluar “vetëm çfarë është e pranueshme e çfarë jo” derisa shtoi se do të vazhdojnë diskutimit për planin.

    Më kategorikja për Serbinë, siç tha ai, ishte që njohje nuk do të ketë “në asnjë mënyrë”.

    Megjithatë ai refuzoi disa nga pikat kyçe të këtij plani, pa e mohuar planin si të tillë, e kështu duke e refuzuar planin si të tillë.

    “Vijat e kuqe” të Serbisë rreth këtij plani ishin “mospengimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, pikë kjo themelore.

    Tjetra, është çështja e Asociacionit. “Nuk mund të ketë marrëveshje të reja pa u zbatuar të vjetrat”, ka siguruar Daçiç.

    Thelbi i “mospengimit” të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

    Serbia ka nisur tërë angazhimin e saj ndërkombëtar për kundërshtimin dhe sfidimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, derisa ka lajmëruar se po punojnë me shtetet mosnjohëse të BE-së për ta sfiduar kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE, kandidaturë kjo e cila dorëzohet më 15 dhjetor.

    “Po punojmë gjithashtu që të ftojmë të gjithë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të sfidojnë këtë çështje nga aspekti i statusit – që të mos ketë kushte as të diskutohet”, ka thënë Daçiç.

    Kaq edhe për këtë pikë të planit franko-gjerman.

    Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, garanton se ky plan, fillimisht i quajtur plan franko-gjerman, është plan i 27 shteteve anëtare, përfshirë edhe atyreve mosnjohëse.

    Por, se si do të jetë vlera e vërtetësisë së këtij pohimi të Borrell, prova do t’i vendoset me vendosjen në rend të ditës për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës në BE.

    Kosova aplikon në bashkësinë evropiane, menjëherë pasi Bosnje-Hercegovinës iu dha statusi i vendit kandidat dhe pas premtimeve solide për zgjerim që u gjeneruan në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian në Tiranë. /Reporteri.net/.

    *en masse – në grup, të gjitha përnjëherë, masive

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!